Ekspertët: Ja si mund të realizohet votimi elektronik
Ne foto kryeministri estonez
Ekspertët estonezë deklarojnë se është plotësisht e mundur që në vendin tonë të votohet në mënyrë elektronike. Komentet e tyre vijnë pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi javën e kaluar me homologun e Estonisë. Ekspertët estonezë, madje, janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë vendin tonë në këtë drejtim. Ekspertët e IT kanë shpjeguar detaje për funksionimin e votimit elektronik, duke rreshtuar avantazhet, por dhe detyrat që dalin përpara për realizimin e këtij procesi. Sipas tyre, Shqipëria mund ta zbatojë me sukses këtë proces. Mendoj se edhe Shqipëria mund ta aplikojë me sukses votimin elektronik. Së pari, nevojitet një vullnet politik, po ashtu dhe ndryshim i mentalitetit tek njerëzit. Duhet të mbështesni këtë proces me legjislacionin e duhur, me pajisje teknike, lidhje të sigurta dhe njerëz të kualifikuar. Teknikisht, duhet lidhje interneti në të gjithë vendin, jo domosdoshmërisht internet në çdo shtëpi, por të paktën në çdo qendër komunitare. Duhen karta identiteti, të cilat ju tashmë i keni, - ka thënë për TV Klan, Mihkel Tikk i Qendrës Informatike të Estonisë. Sipas tij, njerëzit në fillim mund të jenë dyshues për sigurinë e sistemit, se kështu ka ndodhur dhe në Estoni, por ata e kanë sqaruar këtë problem me një metodë shumë transparente dhe të sigurt. Mendoj se ju keni mjaft shanse për të pasur sukses në zbatimin e votimit elektronik dhe ne mund t'ju ndihmojmë me përvojën tonë. Në fakt, dhe ne në Estoni u nisëm nga i njëjti pozicion ku dhe ju jeni aktualisht. Madje, ju mund të keni dhe avantazhe, pasi po zbatoni forma të ndryshme të qeverisjes elektronike, pagesave etj., - ka pohuar ai, ndërsa ka shtuar se votimi elektronik mund të sjellë rritjen e numrit të votuesve, sidomos në radhët e të rinjve. I rëndësishëm, sipas ekspertëve estonezë, është krijimi i një autostrade dixhitale. Edhe Raul Rikk, Trustcorp, shef i Sigurisë Kibernetike, pohon se votimi elektronik rrit numrin e votuesve. Estonia e ka zbatuar dy herë votimin elektronik, votuesit kanë pasur dy opsione: votën manuale dhe atë elektronike. Herën e parë, vetëm 2 për qind e votuesve e përdorën, ndërsa të dytën numri i tyre u rrit ndjeshëm në 15 për qind. E rëndësishme është që të krijoni autostradën dixhitale që do të krijojë lidhje mes një numri të madh të dhënash, duke mundësuar jo vetëm votimin elektronik, por edhe shumë zgjidhje të tjera elektronike si p.sh. në sistemin e shëndetësisë, polici etj, - ka pohuar ai.