E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Rritja e pagave dhe pensioneve nuk përmirëson jetën e qytetarëve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 04-07-2011 11:31

Ekspertët e ekonomisë thonë se rishikimi i buxhetit nuk do të jetë shpresëdhënës për qytetarët shqiptarë. Sipas deputetit socialist, anëtar i komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, rritja e pagave dhe pensioneve nuk do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Opozita, shprehet Koçi, në parim ka qenë dhe do të jetë gjithmonë për një rritje reale dhe të prekshme të rrogave dhe pensioneve, me qëllim përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve, por, sipas tij, ajo që bën qeveria Berisha me një buxhet në krizë nuk është rritje. “Termat e buxhetit nuk janë realë. Si Prodhimi i Brendshëm Bruto, Borxhi Publik, inflacioni etj., nuk janë aq sa i deklaron qeveria. Në këtë mënyrë edhe rritja e pagave dhe pensioneve nuk do të jetë reale, por një indeksim i çmimeve. Megjithatë, është e sigurt se do të jetë rritja më e ulët e bërë ndonjëherë në buxhetin e shtetit. Çmimet rriten paralel gjithmonë e më shumë, kështu që nuk do të ndihet asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve.” - shprehet Ervin Koçi. Sipas tij, qeveria me këta hapa do ta çojë shumë shpejt vendin drejt falimentit, ashtu si shteti fqinj, Greqia. Nga ana tjetër, ekspertët sqarojnë se vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e pensioneve, me 4 dhe 7 % sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Financave, në të vërtetë është vetëm një indeksim i çmimeve, pasi inflacioni gjatë dy viteve të fundit llogaritet të jetë 7.5%. “FMN flet me terma realë dhe jo nominalë, që do të thotë që për sa kohë që rritja është brenda hapit të inflacionit, prej kohës së rritjes së fundit të pagave dhe pensioneve, nuk quhet rritje, por quhet indeksim. Kjo do të thotë se nuk rritet, por kompensohet për rritjen e çmimeve niveli i pagave dhe pensioneve”, thotë Gjergj Filipi nga instituti ‘Agenda’. Rrogat dhe pensionet kanë pësuar një rritje në vitin 2009, me 8% për pensionet në fshat dhe 10% për pensionet familjare. Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është theksuar se në arkën e shtetit 1% e GDP-së shkon vetëm për përballimin e deficit të pensioneve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se borxhi publik i Shqipërisë nuk duhet të kalojë 60%, ndërkohë që aktualisht është në shifrën e 59.7% të prodhimit të brendshëm bruto. Ekspertët kanë theksuar se ulja e buxhetit të shtetit në mes të vitit tregon papjekuri të mëdha ekonomike të drejtuesve financiarë të vendit. Kreu i qeverisë në mbledhjen e fundit theksoi se borxhi publik nuk do të rritet dhe se po ndërmerren hapa për shkurtimin e shpenzimeve operative.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›