Ekspertët: Shpërthimi në Gërdec, 2.2 miliardë lekë dëm
Tiranë- Dëmet e shkaktuara nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008 kanë qenë objekti i seancës së djeshme ndaj 28 të pandehurve në këtë proces. Kontestimet e avokatëve mbrojtës mbi akt-ekspertimin kanë marrë përgjigje ditën e djeshme nga ekspertët që kanë përpiluar akt-ekspertimin mbi dëmet ekonomike. Duke qenë se mbrojtësit e të pandehurve kishin përgatitur rreth 150 pyetje për ekspertët, një seancë e vetme nuk ka mjaftuar për t’u dhënë përgjigje të gjithave. Edhe pse dy prej tyre janë kontestuar nga avokatët, gjykata ka vendosur të dëgjojë përgjigjet me shkrim që ata kishin paraqitur. Përveç shifrës totale të dëmeve materiale të përcaktuar nga përllogaritjet dhe verifikimet e kryera në terren, ekspertët e caktuar për kryerjen e këtij procesi kanë shpjeguar para gjykatës edhe detaje teknike nga puna e tyre në terren. Një nga çështjet që ka marrë përgjigje ditën e djeshme është edhe vlerësimi i dëmit për procesin e transportit dhe mënyrën se si ka operuar ndërmarrja shtetërore MEICO në transportin e municioneve dhe pagesën e kostos së këtij shërbimi. Burime nga Gjykata e Tiranës thanë se, pavarësisht pyetjeve të avokatëve, ekspertët gjatë seancës së djeshme i kanë qëndruar akt-ekspertimit të përpiluar për këtë çështje, duke rikonfirmuar kështu dëmin e konsiderueshëm që është shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008. Sipas tyre, ky shpërthim shkaktoi një dëm prej 2.2 miliardë lekësh të reja, apo thënë ndryshe rreth 17 milionë euro. Po sipas ekspertëve, nga ky shpërthim janë dëmtuar edhe prona, banesa apo biznese, respektivisht 5413 banesa, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Procesi gjyqësor ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit vijon të drejtohet nga i njëjti trup gjykues, edhe pse dy seanca më parë avokatët mbrojtës kërkuan përjashtimin e gjyqtarit Ridvan Hado për njëanshmëri në gjykim. Por kjo kërkesë është rrëzuar pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka cilësuar të pabazuar kërkesën e avokatit të të pandehurës Juliana Margariti, i cili pretendonte se gjyqtari Hado ka caktuar një avokate kryesisht për dy të pandehur, dhe ka vijuar normalisht seancën, pa i lënë kohë avokates për t’u njohur me aktet e dosjes.