E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr dhe armë në Bllok, pranga Alban Rexhës dhe dy miqve të tij

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 05-03-2011 10:24

Tiranë- Telashet s’kanë të sosur për Alban Rexhën dhe mikun e tij Enea Gega, të cilët kanë përfunduar sërish në pranga, në një kohë që ishin në proces gjyqësor për një sulm ndaj policisë. Bashkë me ta, policia ka arrestuar edhe Ernest Çordjen, një ish-futbollist, i cili mësohet se jeton në Angli. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se tre të rinjtë janë arrestuar rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm, në dalje të zonës së ish-Bllokut, me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se tre të rinjtë janë konfrontuar me një grup tjetër dhe vetëm pak çaste më pas kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat pasi u kanë ushtruar kontroll tre të rinjve, kanë arritur të gjejnë një pistoletë, e cila mbahej pa leje nga ana e Alban Rexhës. Fill pas këtij kontrolli, Rexha, Gega dhe Çordja janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 2 Tiranë, ku, pasi janë marrë në pyetje, nuk kanë pranuar të japin të dhëna në lidhje me armën që dispononin. Efektivët e policisë, pasi kanë marrë deklarimet e tre të ndaluarve, kanë vendosur të nisin procedimin penal ndaj tyre për “armëmbajtje pa leje”. Alban Rexha, i cili u bë i njohur nga reality show “Kafazi i Artë”, i njohur edhe me nofkën “Ujku”; dhe Enea Gega, i cili gjithashtu është një personazh i njohur i kronikave rozë, pasi ka qenë për disa kohë i fejuari i këngëtares Ingrid Gjoni, duket se nuk kanë ndërmend të rrinë larg telasheve, pasi vetëm pak muaj më parë ata arritën të fitonin lirinë së bashku me dy shokët e tyre, për një ngjarje të ndodhur gjatë vitit 2009, kur ata u akuzuan se qëlluan mbi policinë. Ngjarja ndodhi më 29 dhjetor 2009, kur Alban Rexha, Pajtim Serjani, Shamet Mejdani dhe Enea Gega po udhëtonin me veturën "Mercedez- Benz". Pranë rrugës "Irfan Tomini" një postbllok i policisë i bën me shenjë veturës të ndalet, ndërsa drejtuesi nuk e ndali, duke vazhduar me shpejtësi. Policia iu vu pas dhe, pa kaluar 200 metra, tre nga katër të arrestuarit zbritën nga makina dhe u larguan me vrap, ndërsa Rexha nxoi një automatik dhe qëlloi në drejtim të policisë, për t’u larguar më pas. Menjëherë forcat e policisë u vunë në ndjekje të personave dhe arritën të arrestonin 3 prej tyre, ndërsa “Ujku” arriti të shpëtonte. Por arrestimi i tij do të shtyhej për disa muaj më vonë, më saktësisht më datë 26 shkurt 2010, arrestim i cili është kryer brenda ambienteve të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ka qenë ora rreth 10:50 e datës 26 shkurt 2010, kur në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda ka hyrë Alban Rexha, i shoqëruar nga avokatja e tij. I veshur me një kostum të zi dhe me një puro kubane në dorë, “Ujku”, siç njihet ndryshe, është shfaqur në ambientet e Gjykatës. Pasi ka kryer kontrollin e nevojshëm, ai, së bashku me avokaten e tij dhe me disa persona të tjerë, janë drejtuar për në një sallë gjyqi, ku pritej të zhvillohej një proces dhe ku avokatja e tij merrte pjesë në të. Pas gati 45 minutash, Alban Rexha ka dalë nga salla e gjyqit, por në këtë moment është përballur me një numër të madh policësh, të cilët e kanë ndaluar dhe e kanë shoqëruar në njërën prej zyrave të kësaj gjykate. Në këto momente ka nisur dhe një debat mes avokates së Rexhës dhe policëve. Sipas saj, ata kishin kontaktuar më parë më prokurorin e çështjes dhe kishin rënë dakord për vetëdorëzimin e Rexhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›