Arrestohet pas 10 vjetësh, vrau dy persona
MAT-Rikthehet në qeli 44-vjeçari Vladimir Daci, i akuzuar për vrasje te dyfishte. Dje në të gdhirë shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas një pune të mirëorganizuar, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar ‘Bazi Mat’ dhe kapjen e shtetasit në kërkim Vladimir Daçi, 44 vjeç, banues në fshatin Baz të rrethit Mat. Në krye të efektivave që morën pjesë në operacionin e kapjes ka qenë numri dy i policisë së këtij rrethi, Sami Neli dhe forca të shumta të policisë. Kapja e këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat më 2 shkurt të këtij viti ka lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij. 44-vjeçari Daci është akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të dy personave, ngjarje e ndodhur më datë 06.08.2001 në fshatin Baz të rrethit Mat, ku janë vrarë me armë zjarri për motive të dobëta Vladimir Haxhia dhe Nikolin Haxhia, kushërinj në mes tyre. Arrestimi i tij u krye në Mamurras te disa të afërm të tij në një banesë private. Arrestimi erdhi në bazë të informacioneve të sakta të marra në rrugë operative nga forcat e Policisë. Materialet shtesë të përpiluara në ngarkim të Vladimir Dacit do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat. Po dje shërbimet e Seksionit për Hetimin e Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Vullnet Dauti, 27 vjeç, banues në fshatin Blliçe, të rrethit Dibër. Procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Vullnet Dauti filloi pasi ditën e djeshme në orën 16.00 në lagjen “Nazmi Rushiti”, Peshkopi, ky shtetas po drejtonte me shpejtësi mjetin golf me targa TO 03588 V (false) dhe nuk i është bindur urdhrit te Policisë për t’u ndaluar, duke i kundërshtuar ata në zbatim të detyrës. Ai akuzohet për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
P. H.