Ekspertët: U vendos 800 gramë tritol në Fabrikën e Çimentos
FUSHE KRUJE – Të paktën 30 persona janë shoqëruar në polici për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë. Një sasi e konsiderueshme lëndë eksplozive, tritol, shpërtheu duke dëmtuar mbi dhjetë metra linear mur që rrethonte fabrikën si dhe mensën e punonjësve. Burime të Policisë së Fushë- Krujës bënë të ditur se hetimet po drejtohen nga specialistë të Antiterrorit të Drejtorisë së Durrësit, si dhe ekspertë të tjerë. Nga hetimi i kryer në vendin e ngjarjes, si dhe forca e shpërthimit të ndodhur, ekspertët kanë konstatuar se autorët e ngjarjes kishin aktivizuar 800 gramë tritol. Kjo mendohet të jetë sasia më e madhe e vendosur në afërsi të fabrikës, përjashtuar rastet e shpërthimeve të shtyllës që furnizon atë me energji dhe të linjës hekurudhore, ku sasia e lëndës plasëse ka qenë më e madhe dhe pasojat mjaft të rënda. Edhe pse ngjarja është duke u hetuar intensivisht nga specialistë të Antiterrorist, autorët e implikuar në të mbeten ende të paidentifikuar. Shpërthimi i dy netëve më parë përbën precedentin e pestë brenda një harku të dy muajve, ndërsa autorët në të gjitha rastet kanë mbetur mister. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se, në të gjitha ngjarjet, shpërthimet kanë qenë të fuqishme e për rrjedhojë ato kanë prishur edhe provat që do të mund të çonin në zbulimin e autorëve. Personat që janë shoqëruar ditën e djeshme janë edhe pronarë të tokës ku është ndërtuar fabrika, por edhe banorë kryesisht të fshatit Zallë, si dhe të rrethinave. Krahas marrjes në pyetje të banorëve të zonës, Policia e Fushë- Krujës bëri të ditur se janë duke u përdorur edhe metoda speciale të hetimit, me qëllim për të rënë në gjurmët e autorëve. Banorët e fshatit Zallë kanë protestuar disa herë sapo fabrika nisi disa vite më parë prodhimin. r.n
Precedentët në dy muaj
25 mars 2011
Një shtyllë e tensionit të lartë e linjës 220 kilovolt që furnizonte fabrikën u hodh në erë
8 prill 2011
Një shpërthim ndodhi në urën e Gjolës nëpër të cilën kalon treni i mallrave në Fushë- Krujë
18 prill 2011
Eksplozivi shpërthen në një makineri brenda në Fabrikën e Çimentos. Nga shpërthimi i tritolit ka pasur vetëm dëme materiale
22 prill 2011
Një sasi lënde plasëse shpërthen në pjesën juglindore të murit rrethues të fabrikës dhe për pasojë pati dëmtime të tij
3 maj 2001
Sërish shpërthim tritoli në ambientet e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Fatmirësisht, shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale, ndërsa autorët arritën të largoheshin në kohë
5 Maj 2001
Persona ende të paidentifikuar vendosën rreth 800 gramë tritol, duke shkatërruar një pjesë të murit rrethues të fabrikës si dhe mensën e punëtorëve