Ekspertët: Ulja e xhiros vjetore do të sjellë rritjen e çmimeve
Ulja e xhiros vjetore nga 8 milionë në 5 milionë lekë, parashikohet nga ekspertë e ekonomisë si një goditje në drejtim të biznesit. Skema e re e TVSH-së qe po aplikon qeveria, e cila parashikon uljen e pragut për biznesin e vogël, nga 8 në 5 milionë lekë xhiro në vit pritet të ketë ndikime si për tregtarët dhe për konsumatorët. Ekspertë dhe ish drejtues të tatimeve shpjegojnë se skema do të rrisë detyrimet fiskale ndaj bizneseve të vogla, të cilat kanë vetëm dy rrugë,
ku sipas tyre biznesit ose do të shpallin falimentin ose do të rrisin çmimet, për tia përcjelle barrën fiskale konsumatorit. Ish nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri, përllogarit se sa rriten taksat për një biznes, i cili në një vit realizon 6 milionë lekë të ardhura dhe ka 5 milionë lekë shpenzime duke fituar 1 milionë lekë. Skema e re që do të përdoret për biznesin do të jetë një barrë e rëndë, pasi fitimi i disa bizneseve është shumë i ulët, çka parashikohet se do të sjellë falimentin e këtyre bizneseve ose rritjen e çmimeve me qëllimin, për ta mbartur këtë barrë konsumatori, u shpreh Curri. Sipas tij falimenti është më i sigurtë, nëse biznesi nuk do të rrisë çmimet. Por ka disa ekspertë, të cilët mbrojnë tezen e dytë, atë që barra fiskale e biznesit nuk do të rritet, por fatura e taksave shtesë do u ngarkohet qytetareve përmes rritjes së çmimeve. Sipas ekspertëve, duke marrë për bazë shembujt e lart përmendur, do i duhet tashmë të realizoje 200 mijë lekë të ardhura më shumë, për të mos cënuar fitimin e tij, e cila do të sjellë rritjen e të gjitha çmimeve të produkteve që shet mesatarisht me 3.5 për qind, e cila do të ndikojë direkt në xhepat e konsumatorit. Ndërsa disa ekspertë taksash përllogarisin se të gjitha bizneseve me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë do tu duhet që të rrisin mesatarisht me 4 deri në 6 për qind çmimet për të gjitha produktet që shesin, nëse këta të fundit do të duan të mbajnë të pacënuar fitimin aktual. Sipas këtyre ekspertëve, kjo masë e qeverisë në finale do të ketë një nga dy efekte të padëshirueshme, ose të ulë fitimet e bizneseve të vogla, me xhiro nga 5-8 milionë lekë, ose do te sjellë një rritje jo të vogël çmimesh në treg, e cila mesatarisht parashikohet që të variojë nga 4 deri në 6 për qind. Ndërsa lidhur me këtë situatë, vetë bizneset parashikojnë një rritje të çmimeve për të ruajtur fitimin, duke i shtuar këtu edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind duke filluar nga data 1 janar e vitit të ardhshëm. Pavarësisht këtyre parashikimeve të ekspertëve, kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të qeverisë u shpreh se të gjitha bizneset e vogla që do të klasifikohen në të mëdha nuk do të përfshihen në taksën e TVSH-së.