Faturat afrofe, dhjetëra qytetarë ankohen dyerve të OSSH
Qytetarët: Po na vjedhin dhe nuk na japin përgjigje Edhe pse çmimi i energjisë elektrike është rritur me 13 për qind, konsumatori shqiptar ende nuk ka mundur të shpëtojë nga faturat afrofe dhe faturat e larta të energjisë elektrike. Nga kërkimet e bëra nga gazeta SOT, rezulton se në zyrat e ankesave në kryeqytet shumë prej qytetarëve shqiptarë ankohen se po paguajnë fatura më të larta energjie nga ajo sa ata harxhojnë. Në zyrën e ankesave në lagjen Ali Demi, ankohen mesatarisht rreth 50 qytetarë në javë,
ku shumë prej tyre janë të pakënaqur nga faturat afrofe, por ka dhe nga ata të cilët ankohen për faturat e larta të energjisë elektrike, ku sipas tyre ata harxhojnë shumë më pak nga sa duhet të paguajnë. Aktualisht në Shqipëri rreth 40 për qind e konsumatorëve të energjisë elektrike nuk e paguajnë energjinë elektrike dhe 30 për qind e familjeve shqiptare nuk janë pajisur ende me matës, çka po sjell në mënyrë të padrejtë dhe vendosjen e faturave afrofe. Familjet shqiptare janë ankuar me qindra herë në zyrat e ankesave, për vendosjen e faturave afrofe, pasi sa herë që kompanisë çeke CEZ i duhen para, ajo në mënyrë të papërgjegjshme luan me konsumatorin e varfër shqiptar. Sipas banorëve kjo është një mos përgjegjësi e këtyre punonjësve të cilët abuzojnë me detyrën e tyre, por ajo që të habit më tepër është se ndaj këtyre personave nuk merret asnjë masë nga ana e drejtuesve të OSSH, pavarësisht se nuk mungojnë akuzat e shumta dhe ankesa e qytetarëve ndaj këtyre personave. Sipas pensionistit Zenel Bardhi, të cilit fatura për muajin nëntor i ka shkuar 9800 lekë të reja, kjo është një vjedhje e hapur. Bardhi ankohet për shifrat e larta që tregon sahati matës, ku sipas tij faturistët dhe teknikët nuk e kanë marrë asnjëherë për bazë shqetësimin e këtij njeriu. Ne jemi vetëm dy pleq në shtëpi, dhe mesatarisht çdo muaj nuk kemi paguar më shumë se 2000 mijë lekë të reja, ndërkohë që 3 muajt e fundit po paguajmë gjithnjë e më shumë. Edhe pse unë vij çdo dot dhe ankohem, nuk kam marrë asnjëherë përgjigje, por edhe teknikët që më kanë premtuar se do të më shohin sahatin nuk janë bërë të gjallë:, u shpreh Bardhi. Një tjetër problem mjaft shqetësues është dhe mos përgjigja e këtyre punonjësve ndaj ankesave të qytetarëve, kur këta të fundit nuk janë dakord me faturën që duhet të paguajnë. Në të gjithë Shqipërinë, janë të shumtë ata konsumatorë që derdhin ankesat e tyre çdo ditë tek kjo zyrë, duke filluar që nga ankesat për faturat afrofe, ankesat për kamatëvonesat, ankesat për faturën e lartë të energjisë, por përgjigja e vetme që vjen nga kjo zyrë është se do të zgjidhet së shpejti, pavarësisht se nuk kanë gjetur kurrë zgjidhje. CEZ, kompania private e cila e bleu OSSH-në, në asnjë moment të caktuar nuk i ka rishikuar këto kërkesa.Punonjësit e OSSHPunonjësja e kësaj zyre shprehet për gazetën SOT, se për çdo ankesë të qytetarëve të zonës, janë marrë masat për ta zgjidhur si problem, por sipas saj në vetëm 2 për qind të rasteve ka rezultuar se qytetari ka pasur të drejtë dhe për këtë janë penalizuar faturistët. Sipas kësaj zyre në pjesën më të madhe të rasteve janë qytetarët, ata të cilët nuk matin energjinë e harxhuar. Ndërsa shtojnë se gjithmonë ankesat e qytetarëve rriten gjatë periudhës së dimrit, ku sipas tyre në këtë periudhë është edhe konsumi më i madh i energjisë. Ndërsa në lidhje me faturat e majmura, arkëtarja thekson se kjo masë merret në rastet kur vijnë urdhra nga lart, dhe atëherë faturat e energjisë llogariten në bazë të konsumatorit që harxhon më shumë energji. Sipas zyrës së ankesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Ali Dem, ankesat më shumta vijojnë gjatë ditëve të para të muajit, pasi atëherë konsumatori njihet me pagesën që duhet të harxhojë. Ndërsa kundërshtoi akuzat e qytetarëve se punonjësit e kësaj zyre janë të papërgjegjshëm. Sipas kësaj zyre qytetarët duhet të bëhen më të vetëdijshëm në atë që harxhojnë. Taulant Halili
Last Updated on E Hene, 28 Dhjetor 2009 21:50