E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ-OSSH abuzojnë me konsumatorët, fatura të fryra në fundvit për të përmbushur bilancin

Ankohen qytetarët: Faturat e energjisë, jashtë çdo limiti normal Pavarësisht se Operatori i Sistemit Shpërndarës është privatizuar, tradita e rritjes së faturave në fund vit vijon. Konsumatorët në çdo fund viti janë përballuar me fatura më të larta se mesatarja që ata paguajnë çdo muaj, kjo vjen për shkak të rregullimit të buxhetit që kërkon të bëjë OSSH. Bordi i kësaj kompanie në çdo fillim viti duke u bazuar edhe tek ai i kaluar caktojnë planin se sa do të jenë të ardhurat në fund të vitit, por këtë e arrijnë vetëm në fundin e vitit duke

përfituar në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Kjo është bërë gjatë periudhës kur OSSH ishte e paprivatizuar dhe kur çmimi i energjisë elektrike ishte i parritur. Megjithëse një nga pikat kryesore të kontratës së nënshkruar të qeverisë shqiptare dhe çekëve të CEZ ishte eliminimi në mënyrë absolute i faturave afrofe dhe i atyre për rregullimin e buxhetit, kjo është shkelur me të dyja këmbët nga CEZ, e cila gjen justifikimin se rritja e faturave nuk bëhet për rregullimin e buxhetit, por sepse shqiptarët gjatë këtij muaji harxhojnë më shumë energji. Burimet e gazetës SOT, bëjnë të ditur se ekspertët e bordit të OSSH gjatë përgatitjes së planit aktual asnjëherë nuk i marrin parasysh faktin se gjatë vitit mund të ketë humbje më të mëdha në rrjet, por kur kjo ndodh atëherë është konsumatori ai që e paguan këtë kosto të rëndë. Të paktën sipas tyre kjo strategji është përdorur më momentin kur OSSH ishte shtetërore, duke theksuar se një nga pikat e kontratës ka qenë eliminimi në mënyrë absolute i faturave afrofe dhe i faturave të larta për përmirësimin e buxhetit. Edhe pse çmimi i energjisë u rrit me 13 për qind CEZ ende nuk ka marrë asnjë masë për të përmirësuar cilësinë në rrjetin shpërndarës, pavarësisht pretendimeve të saj se ka investuar 60 milionë euro në vendin tonë. Sipas ekspertëve CEZ tashmë duhet të kishte pajisur të gjithë konsumatorët shqiptarë me matës të rinj, në mënyrë që kushdo të paguante atë që harxhon dhe jo atë që pretendon kjo kompani. CEZ ende nuk ka firmosur akoma kontrata e reja me klientin, e cila do të thotë se pas rritjes së çmimit të energjisë, OSSH duhet ti ofrojë më shumë siguri klientëve. Ankesat e qytetarëveFaturat e majmura të CEZ, kanë lënë një hije të hidhur tek qytetarët, të cilët shprehen se faturat afrofe po i dëmtojnë edhe më shumë se rritja prej 13 për qind. Muharem Stafa, banor i lagjes së Shkollës së Baletit, thekson se pensioni i tij do të shkojë i gjithi për të shlyer faturën e energjisë prej 10 mijë lekësh të reja. Ai këmbëngul se harxhon shumë pak energji për të paguar një shumë kaq të lartë. Por çekët e CEZ premtuan se do të bënin të mundur që brenda 3 muajve të pajisnin të gjitha familjet shqiptare me matës të rinj, ndërkohë që sot vazhdojnë faturat afrofe, ku konsumatori i rregullt është i detyruar që të paguajë edhe faturat e atij që harxhon energjinë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu kjo kompani nuk i siguron klientët e saj në rast të ndonjë luhatje tensioni, të cilat përveçse nxjerrin jashtë funksioni pajisjet elektroshtëpiake, rrezikojnë edhe jetën e njerëzve. Por fitimi i shitjes së energjisë për çekët e CEZ vjen edhe nga forma të tjera, ku një nga format kryesore është ajo e mos furnizimit me energji të plotë për të gjitha familjet shqiptare, të cilat detyrohen të harxhojnë më tepër energji për faktin se pajisjet elektroshtëpiake nuk mund të kryejnë funksionin e duhur brenda një kohe të shkurtër. Kjo tregon se të gjitha premtimet e CEZ, nuk janë mbajtur. CEZ aktualisht është nën hetim nga Komisioni Evropian për rritje artificiale të çmimit të energjisë, ndërsa në Shqipëri nuk është e kënaqur me rritjen prej 13 për qind të çmimit, nën pretendimin se ky çmim nuk i mbulon sërish shpenzimet e kësaj kompanie. Pavarësisht se CEZ pretendon se gjatë këtij viti ka shpenzuar 60 milionë euro në Shqipëri, duke sistemuar të gjithë rrjetin shpërndarës në vend, ndërkohë që akoma nuk ka ndarë rrjetin shpërndarës të industrisë së rëndë me atë të familjeve, e cila detyrimisht që sjell jo vetëm humbje në rrjet por dhe luhatje të ngarkesës së tensionit elektrik. Pavarësisht kësaj konsumatori shqiptar për veç rritjes së ushqimeve në prag të festave, po përballet dhe me rritjen individuale të energjisë të bërë nga CEZ, e cila mesa duket po ndjek shembullin e tregtarëve të fruta perimeve, por nuk ka asnjë justifikim për rritjen. Taulant Halili

Last Updated on E Shtune, 26 Dhjetor 2009 21:25

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›