Konfindustria mbështet qeverinë për ngritjen e deficitit buxhetor
Vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e deficitit buxhetor është pritur mirë dhe nga ana e biznesit. Konfindustria tha se mbështet në parim miratimin e aktit normativ nga Qeveria e Shqipërisë për rritjen e deficitit buxhetor prej 4.2 për qind në 4.5 për qind, por thekson se një veprim i tillë mund të ishte parashikuar dhe ndërmarrë në një kohë më të shpejtë. Njëkohësisht Konfindustria vlerëson se ky akt normativ duhet të shoqërohet me shpjegime
publike për cilësinë e shpenzimeve dhe investimeve buxhetore të deritashme, që kanë qenë ndjeshëm të shtuara në vitin zgjedhor 2009. Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku theksoi se marrja e kësaj mase nga ana e qeverisë shqiptare në një kohë më të shpejt, do të ishte dhe më efikase. Një veprim më i shpejtë në kohë në drejtim të rritjes së defiçiti buxhetor bëhej i nevojshëm parë vështirësitë e shumta për likuiditet me të cilat përballet ekonomia dhe në mënyrë të veçantë industritë shqiptare sidomos në 6 mujorin e dytë të vitit 2009, që përkon me shpenzimet e shkurtuara ndjeshëm gjatë gjysmës së dytë të vitit zgjedhor në vazhdim, në kushtet e krizës globale financiare dhe kufizimeve të thella në kreditim nga sistemi bankar, tha Buxhuku. Ndërsa në vijim ai u shpreh se Konfindustria, kërkon nga Qeveria, që të marrë parasysh se sipas të gjitha parashikimeve të politikave ekonomike, financiare dhe monetare, viti 2010 do të jetë vit relativisht i vështirë për ekonominë shqiptare. Shenjat e përmirësimit të tregjeve botërore ulen në pasqyrimin e tyre në ekonominë shqiptare parë problemet e shumta ekonomike dhe financiare që po kalon Greqia, partner i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë, vijoi Buxhuku. Në këto kushte, Buxhuku vlerëson se stabiliteti makroekonomik i vendit në tërësi dhe qëndrueshmëria e monedhës kombëtare duhet të kenë rëndësi parësore nga vendimmarrja politike. Sipas tij, parashikimi në kohë dhe shmangia e veprimeve të nxituara dhe në çastet e fundit, sikurse ishte akti normativ për rritjen e defiçitit buxhetor, shoqëruar me rritjen e domosdoshme të cilësisë së shpenzimeve publike janë kushte të domosdoshme për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2010. Ndërsa ka ripësëritur edhe një herë thirrjen e tij për qeverinë, që kjo e fundit të tregohet më tolerante ndaj biznesit. Sipas tij në këtë periudhë postkrize biznesi ka nevojë për ndihmë që të ringrihet, duke theksuar se skemat e reja të TVSH-së e rëndojnë atë.