E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutori i kunatit: Mora hak për vrasjen e djalit dhe të vajzës

Hasan Onuzi vret me 6 plumba pistolete kunatin Jeart Doku. " Kishte gisht në zhdukjen e vajzës dhe vrasjen e djalit në Itali"
TIRANË- Një polic gjendej pak metra tutje, por as ai dhe as njerëzia rreth e rrotull nuk e frikën 67-vjeçarin Hasan Onuzi. Për pak sekonda mbajti me njërën dorë armikun e tij më të madh, e me tjetrën pistoletën. Më pas e nxjerr nga xhepi dhe ndalon me një plumb turravrapin e pashpresë të kunatit të tij, Jeart Doku. Pesë krisma të thata pistolete pasojnë të parën, por 67-vjeçari Hasan Onuzi nuk ngopet. Tenton ta vrasë sërish, edhe pse të vdekur."Vetëm për këtë çast jetoja",-thotë krejt në qetësi, ndërsa tenton të ndërrojë karikatorin e zbrazur mbi kokën e kunatit 47-vjeçar. Por kalimtarët e shumtë, që mesditën e djeshme ndodheshin pranë Farmacisë nr.10 ishin tmerruar tashmë, e një patrullë policie që gjendej aty pranë, nuk e pati të vështirë të arrestonte me pistoletë ndër duar Hasan Onuzin.
 
"Mora hakun e fëmijëve të mi"- përpiqej t'u shpjegonte policëve Hasan Onuzi, ndërsa trupi i plandosur përtokë nuk ishte ftohur ende. Por forcat e policisë mbërthyen 67-vjeçarin, duke mos i lënë mundësi atij të zbrazte edhe një tjetër karikator mbi kunatin. Vrasja për motive hakmarrjeje ndodhi mesditën e djeshme në rrugën e Dibrës në Tiranë, ku Hasan Onuzi ka vrarë me pistoletë kunatin e tij, Jeart Doku 47-vjeç. Forcat e policisë ndodheshin vetëm pak metra larg në momentin kur ndodhi vrasja dhe nuk e kanë pasur të vështirë të ndërhyninmenjëherë për të kryer arrestimin e autorit. Ky i fundit nuk ka bërë rezistencë në momentin e prangosjes por përkundrazi ka treguar menjëherë arsyet e vrasjes që sapo kreu. Burime nga policia thanë se autori ka dëshmuar se dyshonte që kunati i tij i kishte shfrytëzuar vajzën për prostitucion në Itali dhe më pas e kishte zhdukur atë, ndërsa i kishte vrarë edhe djalin po në Itali.
 
Që prej vitit 1998, Hasan Onuzi filloi orvatjet për të gjetur vendndodhjen e vajzës së tij, e cila ishte nisur drejt Italisë dhe nuk kishte mësuar më asgjë për fatin e saj. Gjashtë vjet më vonë, djali i Onuzit vritet në Itali. Për më shumë se 10 vjet, Onuzi hetonte për të zbuluar autorët e zhdukjes së vajzës dhe vrasjes së të birit. Sipas deklaratës që ka dhënë në polici, Hasan Onuzi dyshonte se në të dyja ngjarjet kishte gisht kunati i tij, Jeart Doku, ndaj dhe i ishte vënë këmba-këmbës këtij të fundit. Megjithëse Doku kishte marrë për grua motrën e Onuzit, dy familjet nuk kishin më hyrje-dalje prej kohësh.Ndërkohë që pas shumë përpjekjesh të dështuara për të çuar në qeli autorin e vrasjes së djalit dhe zhdukjes së vajzës, duket se 67-vjeçari ka vendosur të hakmerret vetë. Prej ditësh ai ishte vënë në ndjekje të kunatit të tij, të cilin e ka takuar mesditën e djeshme. Pranë kryqëzimit të Farmacisë nr.10, Onuzi i është afruar Dokut dhe e ka tërhequr atë prej krahu, por është përballur me rezistencën e kunatit. Sapo është shtyrë prej Dokut, 67-vjeçari ka nxjerrë nga xhepi i brendshëm i palltos një pistoletë, e cila është vënë re nga "shenjestra'. 47-vjeçari tentoi të largohej me shpejtësi, por një plumb depërtoi në këmbën e tij dhe e rrëzoi përtokë. Me një qetësi të frikshme Hasan Onuzi ka drejtuar pistoletën në drejtim të kunatit të tij dhe ka zbrazur një karikator të tërë. Megjithëse vrasja ndodhi në një zonë tejet të populluar, Onuzi nuk u ka hedhur sytë kalimtarëve, të cilët filluan të ulërinin, por vazhdonte të shikonte kunatin, teksa përpëlitej mbi trotuar. Burime nga policia thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, të paktën kështu ka deklaruar autori i krimit. Megjithatë policia po heton versionin e Onuzit, i cili ka deklaruar se viktima i kishte shfrytëzuar për prostitucion vajzën dhe më pas i ka vrarë edhe djalin. "Po hetojmë për të verifikuar dëshminë e autorit të ngjarjes, ndaj të cilit është marrë masa e arrestit për veprën penale të "vrasjes me dashje"-deklaruan hetuesit e krimit për "Shekullin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›