Tekstilet: Qeveria të ulë 50% taksat mbi pagat
Përfaqësuesit e fasonëve kërkojnë marrjen e masave urgjente, pasi ky sektor ka mbi 100 mijë të punësuar
TIRANË -Fasonët kanë qenë sektori i radhës, që kanë kërkuar ndihmën e qeverisë për të përballuar krizën që ka përfshirë këtë industri. Pas ndëruesve, përfaqësuesit e industrisë së tekstileve i propozuan dje qeverisë një paketë masash për daljen nga kriza, e cila ka ardhur si pasojë e rënies së kërkesës në botë për prodhimet e tyre.
Prej disa muajsh, industritë shqiptare të tekstilit dhe të lëkurë-këpucëve, po përballen me një ulje të ndjeshme të kërkesës për prodhimet e tyre, të cilat për vitin 2007 kanë zënë jo pak, por 55 për qind të totalit të eksporteve shqiptare.
Duke e konsideruar si të vetmen mënyrë fitimi krahun e lirë të punës në Shqipëri, ata i kanë kërkuar qeverisë marrjen e masave, për të ulur edhe më tej barrën fiskale për punonjësit e tyre.
Kështu, ndër masat e marra për daljen nga kjo situatë, ata i kërkojnë ekzekutivit që, për punonjësit e pakualifikuar të mbulojë për një vit, të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore të tyre, si dhe uljen me 50 për qind për punonjësit e tjerë.
Ashtu si edhe bizneset e tjera, edhe përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve, kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre rreth ligjit, "Për pagat e referencave" dhe kanë kërkuar shfuqizimin e VKM-së nr. 285. "Rritja e kostos si pasojë e bërjes së pagës minimale për 17.000 lekë, është rreth 13 për qind më shumë", - tha dje Edmond Rusmajli, kryetari i Shoqatës së Fasonëve.
Drejtuesit e shoqatës thanë se shpenzimet për paga zënë rreth 60-70% të totalit të shpenzimeve, ndërsa pjesa e sigurimeve shoqërore zë 15-20% të shpenzimeve, kur, sipas tyre, në sektorë të tjerë shpenzimet për paga variojnë nga 8-10% të totalit të shpenzimeve.
Pjesë e kërkesave të industrisë së tekstileve, e cila zë 5 për qind të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është edhe përjashtimi për një periudhë pesëvjeçare nga tatim-fitimi i kompanive që punojnë me material të porositur nga jashtë, si një ndihmë e efektshme për t'i ndihmuar ata në këtë kohë krize.
Përfaqësuesit thanë se rënia drastike e kërkesës po detyron ata të shkurtojnë në masë vendet e punës, duke rënduar më tej shifrat e papunësisë në vend. Në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet rreth 400 shoqëri të tilla, ku 160 operojnë vetëm në kryeqytet dhe rreth 300 prej tyre sigurojnë një aktivitet ekonomik, prej jo më pak se 40 milionë dollarë në vit.
Ata këkuan që qeveria të rimbursojë në mënyrë të shpejtë TVSH-në dhe të mos zvarrisë procedurat. Rreth 70 për qind e prodhimeve të tyre eksportohen në Greqi dhe Itali, vende të cilat janë përfshirë nga kriza ekonomike.
Sipas Dhomës Kombëtare të Prodhimit të veshjeve, grupmallrat e prekura nga kriza përbëjnë 88% të eksporteve shqiptare, duke u bërë një rrezik i qartë për mbarëvajtjen pa probleme të saj. Specialistët e ekonomisë parashikojnë se vendi ynë nuk ka për t'u përfshirë direkt nga kriza ekonomike globale, por pritej që efektet e saj t'i jepte nëpërmjet uljes së eksporteve dhe të dërgesave të emigrantëve.
100 mijë është numri i të punësuarve në sektorin e prodhimit të tekstileve në vend
400 kompani operojnë në industrinë fasone dhe eksportojnë jashtë vendit prodhimet e tyre
4 miliardë lekë është xhiroja vjetore për rreth 300 nga kompanitë, që operojnë në këtë sektor
750 milionë lekë janë humbjet e këtij sektori nga zbatimi i ligjit "Për pagat e referencave"