Ekspertët e BE-së zbresin në Tiranë, dje katër orë bisedime me Berishën dhe Ramën
Erald Kapri
Të dërguarit e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri kaluan dje një ditë të gjatë negociatash, por nuk u mësua asnjë rezultat konkret rreth këtyre bisedimeve. Katër ekspertë të BE-së mbërritën në Tiranë, të cilët takuan Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama në takime të veçuara. Pjesë e takimeve të tyre ishin edhe ambasadorët e vendeve më të rëndësishme në Tiranë, por që në fund të ditës së ngarkuar të bisedimeve, gjithçka u mbajt e fshehtë për median. Negociatat e gjata mes dy liderëve e ekspertëve u mbajtën të rezervuara, ndërsa nuk u mësua për asnjë rezultat konkret në takimet e gjata, përtej orarit të parashikuar.
Aventura e dy ekspertëve të BE-së të delegacionit negociator nga Brukseli nisi në orën 15:00 në drekë, ku u pritën nga ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Axhenda e tyre përfshinte takime me figurat më të rëndësishme diplomatike dhe politike të vendit. Delegacioni i ekspertëve, i kryesuar nga zëvendësshefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, Jana Katarina, Loliç Shindelkova, që është njëherazi edhe përfaqësuesja e Komisionerit për Zgjerim, që mbulon edhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, nisi takimet fillimisht në zyrat e Komisionit Evropian në Tiranë. E shoqëruar edhe nga Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, Shindelkova u takua në zyrat e KE-së me disa ambasadorë. Burimet bënë me dije se ekspertët shoqëroheshin edhe nga dy përfaqësues të grupeve parlamentare të Parlamentit Evropian, të së majtës dhe së djathtës, ndërsa eksperti nga Këshilli i Evropës nuk ishte pjesë e këtij delegacioni. Mundësia e gjetjes së informacionit në lidhje me këtë vizitë të ekspertëve të BE-së ishte pothuaj një mision i pamundur. Gazeta tentoi të lidhet edhe me zyrën e Komisionerit Fyle në Bruksel për të ditur diçka më shumë për vizitën e delegacionit në Tiranë, por përgjigja e vetme ishte kontakti me zyrat në Tiranë. Në takimin e mbajtur me ambasadorët në zyrat e KE-së në Tiranë, mori pjesë edhe ambasadori amerikan Uidhers, ndërsa në të nuk munguan edhe ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë, Francës etj.
Negociatat
Menjëherë pas takimit me ambasadorët, dy ekspertët e BE-së i janë drejtuar Kryeministrisë. Takimi me Kryeministrin Berisha nisi rreth orës 17:30 dhe ka zgjatur për më se 2 orë. Zyra e Kryeministri nuk mbajti asnjë njoftim rreth këtij takimi apo për temën e diskutuar me të dërguarit e Brukselit. Në takim me Berishën ishte i pranishëm edhe ambasadori i KE-së, Lohan. Ekspertët e KE-së më pas u janë drejtuar zyrave të Bashkisë së Tiranës, ku u pritën nga kreu i opozitës, Edi Rama. Në takim morën pjesë edhe dy deputetët e PS-së, Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri. Prej më se 2 orësh, ekspertët e BE-së dëgjuan përfaqësuesit e opozitës. Takimi përfundoi rreth orës 22:30. Edhe zyrat e opozitës preferuan të mos bëjnë asnjë njoftim për median në lidhje me çështjet e trajtuara në këtë takim. Në axhendë fillimisht ishte menduar mundësia e një darke mes ekspertësh nga PD-ja e PS-ja, por ajo nuk u zhvillua për arsyen e zgjatjes së takimeve përtej parashikimit me liderët politikë shqiptarë.
Ardhja e delegacioni të ekspertëve nga Brukseli në Tiranë ndodhi fill pas takimit mes liderëve Berisha e Rama në Strasburg. Ndërkombëtarët dhanë një afat dyjavor për zgjidhjen e situatës politike. Ende nuk bëhet e ditur nëse ekspertët e BE-së do të japin ndonjë shpjegim në lidhje me negociatat, apo ndonjë mendim të tyrin në lidhje me mundësitë e zgjidhjes së situatës politike në Shqipëri.
PD- PS përplasen për incidentin në Kuvend
PD: Doshi kërcënoi me vdekje Strazimirin
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi akuzoi dje Tom Doshin se në seancën e të hënës në Parlament ka kërcënuar me jetë, përfaqësuesin e maxhorancës Genti Strazimirin. Duke folur në një konferencë për shtyp ai i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama të distancohet nga ky akt. “Kjo transparencë e mediave për publikun duhet të kishte vlerë edhe për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, sepse nuk është deputet. Me ketë rast, i kërkojmë zotit Rama që të distancohet qartë nga një vepër e pastër penale, e kryer në prani të shumicës së deputetëve të Parlamentit, dhe të dënojë publikisht autorin e saj Tom Doshi”, tha Halimi. “Ne rast të kundërt, kemi të gjithë të drejtën të besojmë se Edi Rama është bashkëfajtor dhe nxitës i asaj vepre të shëmtuar dhe se ai miraton vrasësin dhe dhunuesin edhe kur ky është deputet i Partisë Socialiste”, vijoi më tej deputeti i Partisë Demokratike.
PS: Incidenti u provokua nga deputeti i Berishës
I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste ndaj incidentit të ndodhur në Kuvend, ku zëdhënësja, Armela Imeraj e quajti deputetin e PD-së, Genti Strazimiri provokator. “Në emër të kryetarit Edi Rama shpreh të gjithë keqardhjen për insinuatat e turpshme të një zëdhënësi të Sali Berishës lidhur me incidentin e provokuar në Kuvend nga një deputet po ashtu i Sali Berishës. çfarë është parë e dëgjuar publikisht në sensin negativ nga seanca e shkuar e Kuvendit është qëndrimi primitiv dhe fjalori i rrugëve që portretizon folësit e Sali Berishës”, tha Imeraj. Në emër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, ajo i bëri thirrje kryeministrit Berisha t’i japë fund luftës kundër opozitës. “Berisha duhet të kuptojë se qëllimi nuk justifikon mjetin dhe as arroganca e pushtetit nuk ia zgjidh dot atij sikletin. Apeli i Kryetarit të Partisë Socialiste për kryeministrin është: të ecim në rrugën e arsyes, sepse rruga qorre e luftës me opozitën vetëm e thellon krizën qeverisëse në dëm të vendit”.