E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle i përgjigjet Ristanit: Fletët e votimit as grisen, as digjen



Partia Socialiste reagoi dje ndaj deklaratës së kreut të KQZ-së, Arben Ristani, sipas të cilit me nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale do të digjen fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një konferencë për shtyp në selinë rozë, deputeti Namik Dokle tha se fletët e votimit nuk mund të digjen dhe as mund të grisen. “Padyshim, thellimi i kësaj krize do të kishte pasoja të rënda jo vetëm lidhur me axhendën tonë evropiane, por edhe mbi gjendjen e vendit. Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; Kryeministër, Qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre, se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen”, tha Dokle. Sipas tij “opozita, në këto dy javë po i jep Parlamentit shansin e normalitetit e të gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen që tashmë është mbi tavolinë. Moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, e me çdo faktor të përfshirë në tryezë”. Deputeti i Partisë Socialiste deklaroi në të njëjtën kohë se “tryeza e Strasburgut ofroi zgjidhje e vuri një afat sa dashamirës aq edhe të vendosur, sa të mençur aq edhe ultimativ”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›