E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e KE në Tiranë: Ja kushtet për lëvizjen e lirë

 

Etleva Delia

Ekspertët e Komisionit Evropian, të cilët do të qëndrojnë për një javë në Shqipëri, kanë detajuar kushtet që duhet të plotësohen në fushën policore për të përfituar liberalizimin e vizave. Gjatë gjithë javës përfaqësuesit e BE-së do të shqyrtojnë nga afër zbatimin nga ana e autoriteteve shqiptare të udhërrëfyesit për një regjim të liberalizuar vizash. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku ekspertët evropianë zhvilluan dje takimin e parë në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit thanë se ekspertët do të kontrollojnë të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të parë kushtet dhe mënyrën e punës. Puna e tyre ka nisur dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në Aeroportin e Rinasit. Të njëjtat burime konfirmuan se ky mision do të pasohet nga dy të tjerë po në nivel teknik, raportet e të cilëve do t’i shërbejnë Komisionit Evropian për t’u shprehur në favor ose jo të qarkullimit të lirë të qytetarëve shqiptarë në Evropë.
KUSHTET
Pohimi i parë i ekspertëve të Komisionit Evropian, sapo kanë ardhur në Shqipëri ka qenë se heqja e regjimit të vizave duket një gjë mjaft e vështirë. Në muajin mars të vitit të kaluar, komisioneri Frattini nënshkroi në Tiranë hapjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Në qershor Shqipërisë iu dorëzua udhërrëfyesi i procesit të liberalizimit, 42 kërkesa që duhet të plotësonin autoritetet shqiptare. Kushtet që kanë paraqitur ekspertët e Komisionit Evropian, kanë të bëjnë me realizimin e disa reformave, por më së shumti me përmbushjen e një numri çështjesh teknike, që nga dokumentet e identitetit dhe ato të udhëtimit e deri të kontrolli i kufijve, sistemet online, lidhjet në rrjet dhe mundësia e aksesit me rrjetet e Europolit e Interpolit, forcimi i kapaciteteve teknike e teknologjike, si dhe ngritja e strukturave të reja. Shqipëria deri tani ka dorëzuar disa raporte në Bruksel për nivelin e realizimit të detyrave. Kushtet që kanë paraqitur dje ekspertët e BE-së do të vihen në zbatim në formën e një reforme në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Ndërkohë, gjatë kësaj jave që ata do të qëndrojnë në Shqipëri do të jetë në formën e inspektimeve, që ata do të bëjnë në të gjitha vendkalimet kufitare për të parë nga afër se si funksionon puna, si nga mënyra teknike, ashtu edhe kushtet teknologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›