E Diel, 1 Nëntor 2026

Fusha e aviacionit në Grudë, zaptohet nga ndërtimet pa leje

 

SHKODER - Që nga ndërtimi në vitin 1918 e deri 9 vjet më parë, fusha e aviacionit në fshatin Grudë e Re, 6 km larg Shkodrës ka funksionuar normalisht. Por, sot, vetëm banorët e zonës e dinë se çka qenë ajo më parë. Mbi fushë janë ngritur ndërtime pa leje, ndërsa një pjesë e saj është shfrytëzuar për të mbjellë vreshta e prodhime të tjera bujqësore, edhe pse sipërfaqja prej 50 hektarësh i përket si pronësi Ministrisë së Mbrojtjes. Nga fillimi i shekullit të XX-të e deri në fund të tij, fusha ishte në gjendje optimale. Madje, në raste emergjente dhe fatkeqësish ajo ka funksionuar deri në vitet 2000, por tashmë ajo është e braktisur, po shfrytëzohet për hedhjen e mbeturinave, si dhe po zihet nga dita në ditë nga banorë të ndryshëm të ardhur nga zonat rurale. Kjo fushë aviacioni mendohet të jetë ndër të parat të ndërtuara në vendin tonë, e cila shërbente për qarkullim të brendshëm të personave të ndryshëm. Këtu janë ulur e ngritur helikopterë të ushtrisë dhe aeroplanë të vegjël, janë shpërndarë ndihma dhe janë zhvilluar operacione stërvitore ushtarake. Ndërkohë që gjatë vitit 1999, në kohën e krizës së kosovarëve në këtë ambient u ndërtua një kamp fushor i austriakëve. Në këtë fushë, megjithëse është përfshirë në planet strategjike të zhvillimit të Shkodrës, pas viteve 2000 aty janë dyndur banorë të zonave rurale. Ata kanë filluar zaptimin e saj, duke bërë ndërtime pa leje si banesa, njësi tregtare, madje janë mbledhur pemë frutore dhe vreshta duke e nxjerrë jashtë funksionit të saj. Sipas Marash Berishës, kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në vitet 1992-1996, sipërfaqja e fushës së aviacionit nuk u është ndarë banorëve të fshatit Grudë. Banorët kishin besim se aty shteti do të ndërtonte një fushë të re aviacioni qoftë edhe për transport të brendshëm. Por, deri tani, ndonëse fusha është nën zotërim të Ministrisë së Mbrojtjes, ky institucion nuk është kujdesur për ruajtjen e saj.                                               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›