E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen trafikantët me dy fëmijë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Goditet grupi i trafikantëve të klandestinëve, ndër të cilët edhe një vajzë 27 vjeçe. Drejtoria e Krimit të Organizuar e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Korçës arrestuan Ylli Pallën, 48 vjeç, Florian Martaneshin, 25 vjeç dhe Lule Hamzallarin, 27 vjeçe. Policia i ndaloi ata në kushtet e flagrancës në tentativë për të  kaluar matanë kufirit me Greqinë pesë persona, dy prej tyre të mitur. Burime nga policia e Korçës bënë të ditur se trafiku për klandestinët funksiononte nga Tirana e Shqipëria e Mesme dhe përfundonte në rrethin kufitar të Devollit. Të njëjtat burime pohuan se pritet që arrestimet të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, ku dyshohet se shtrihet ky rrjet trafikimi. Goditja e parë e operacionit të koduar "Pranvera", u krye rreth orës 01:20 të së hënës. Policia vuri në pranga Ylli Pallën nga fshati Koshnicë i Devollit, Florian Martaneshin nga Tirana dhe Lule Hamzallarin nga Pogradeci. Të tre trafikantët u kapën në flagrancë në banesën e Pallës, teksa po bëheshin gati të niseshin drejt vijës së kufirit me Greqinë, e cila është shumë afër këtij fshati. Burime të policisë bënë të ditur se në banesë u gjetën pesë klandestinë, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Përkundrejt një çmimi prej 6 mijë eurosh ata do të niseshin drejt tokës greke. Policia arrestoi menjëherë Ylli Pallën dhe Florian Martaneshin, ndërsa për vajzën që ishte pjesë e këtij rrjeti, pas ndalimit u vendos të ndiqej në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprën penale "Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". "Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po i jepnin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në drejtim të shtetit grek grupit të klandestinëve, të cilët ishin banorë të rretheve Lushnjë dhe Tiranë. Ata kishin me vete edhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 2 dhe 5 vjeç", bëri të ditur dje policia e Korçës. Sipas burimeve, një rol të rëndësishëm në trafikun e radhës kishte luajtur vajza 27-vjeçare Hamzallari, e cila jeton në Pogradec. Ajo me mjetin "Benz" të Ylli Pallës, me targë DV 1410 A, transportonte nga qyteti i Pogradecit në Koshnicë të Devollit klandestinët. Mësohet se katër prej klandestinëve ishin të një familjeje, burrë e grua dhe dy fëmijët e tyre. Ata ishin nga Lushnja, ndërsa klandestini i pestë ishte një shtetas nga Tirana. Sipas policisë, në banesën në fshatin Koshnicë priste edhe Martaneshi, i cili ishte pjesë e këtij rrjeti të trafikut. Gjatë kontrollit të ushtruar blutë sekuestruan 700 euro si dhe një sasi prej 1.5 gramë kanabis sativa. Kjo e fundit i shtoi Pallës edhe akuzën për "Prodhim dhe shitje të narkotikëve". Policia tha se po vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të këtij rrjeti, që shtrihet në Tiranë, Shqipërinë e Mesme e vazhdon në Pogradec e Devoll.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›