Në gjyq dy gjobëvënësit e Kukësit
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të pandehurve Anila Elezaj dhe Sajmir Elezaj, të akuzuar për "gjobëvënie". Të pandehurit janë hetuar në gjendje të lirë, ndërkohë që sipas hetimeve të Prokurorisë, më 11 nëntor 2008 tek oficerët e policisë gjyqësore të Seksionit të Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë e Policisë Kukës, është paraqitur për të bërë një kallëzim shtetasi K. Elezaj, banues në Kukës. "Në kallëzimin e tij ky shtetas ka shpjeguar se në datën 11.11.2008, rreth orës 06:30 min të mëngjesit, ka dëgjuar disa të trokitura të forta në derën e banesës së tij. Ai ka dalë për të parë se kush ishte, por nuk ka konstatuar njeri. Më vonë rreth orës 07:30 min të po asaj dite kallëzuesi kur doli nga banesa për të shkuar në punë, ka konstatuar se në pragun e derës së banesës së tij gjendej një letër e hapur dhe e shkruar. Ai pasi ka marrë letrën është kthyer përsëri brenda në banesën e tij dhe së bashku me bashkëshorten e tij Lumturien kanë lexuar letrën. Në letër ndër të tjera ishte shkruar se në datën 12.11.2008 ai duhej të dorëzonte një shumë prej 700 mijë lekësh, në të kundërt do t'i merreshin peng fëmijët dhe do t'i vendosej eksploziv banesës së tij. Në letër përshkruhej dhe vendi ku kallëzuesi duhet të dorëzonte lekët", tha Prokuroria e Përgjithshme.