Gjykata kundër ekspertizës për të penduarin e masakrës
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e avokatëve për kryerjen e një ekspertizë mjekoligjore psikike ndaj të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë Bujar Buzani. Ekspertiza psikike ndaj të pandehurit Buzani u kërkua gjatë seancës në ngarkim të personave të akuzuar si autorë të masakrës së Cërrikut. Në seancën e djeshme, e cila ishte në fazën e pyetjes së të pandehurit Buzani, disa prej mbrojtësve ligjorë pretenduan se ai vuan nga çrregullime psikike. Kërkesa nuk u pranua nga gjykata, me arsyetimin se gjatë gjithë seancave të zhvilluara deri tani, asnjëherë sjellja e të pandehurit nuk ka krijuar dyshime për paaftësi mendore nga ana e Buzanit. Ndërkaq, seanca ka vijuar zhvillimin nën tension dhe replika mes mbrojtësve dhe gjykatës. Vetë i pandehuri Buzani shpjegoi edhe njëherë momentin që kishte njohur për herë të parë të pandehurin tjetër Meti Bozi. “Për herë të parë Meti Bozin e kam parë kur erdhi dhe takoi kushëririn tim Arjan Toska, tek postblloku ku ne bënim shërbim rreth 10 minuta para se të ndodhte tragjedia e Cërrikut”, tha përpara gjykatës Buzani. Sipas Buzanit, kishte qenë i pandehuri Bozi ai që u kishte thënë se në Cërrik kishin ardhur forca speciale nga Tirana që kishin kontrolluar një banesë dhe kishin dashur të përdhunonin një grua. “Prandaj hajdeni të shkojmë në Cërrik të mbrojmë gratë dhe motrat tona”, citoi Buzani dje fjalët, që sipas tij, ishin thënë nga Meti Bozi 10 minuta para masakrës së Cërrikut. Ndërsa përgjigjet e të penduarit Buzani kanë shkaktuar edhe reagime tek të pandehurit, njëri prej të cilëve braktisi sallën. Të njëjtin veprim ndoqi edhe avokati i tij mbrojtës, çka u bë shkak për shtyrjen e seancës. Të nëntë të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen për vrasjen e 6 gardistëve, ngjarje e ndodhur në vitin 1997 në qendër të Cërrikut. ar.ba