Zjarr në dy banesa, nis hetimi
KORÇE - Dy shtëpi përfshihen nga flakët në rrethin e Korçës, njëra prej të cilave dëmtohet rëndë. Sipas policisë, në fshatin Voskopojë u dogj banesa e G.Bezhanit. Nga hetimet e kryera rezultoi se shkak ishte bërë një sobë drush. E zonja e shtëpisë kishte lënë të ndezur sobën dhe më pas ishte larguar nga banesa. Por të nxehtit kanë shkaktuar flakë në një divan që ishte shumë afër sobës. Më pas flakët përfshinë jo vetëm divanin, por gjithë orenditë e tjera, që ndodheshin në kuzhinën dhe korridorin e banesës. Vetëm kur shtëllunga e tymit ka filluar të dalë nga banesa e familjes Bezhani, fqinjët kanë mundur të ndërhyjnë. Banorët arritën të shpëtojnë një pjesë të banesës, megjithatë dëmi ekonomik është i konsiderueshëm. Sipas dëshmisë së të dëmtuarve pas ngjarjes, ata kishin mësuar dëme jo vetëm të pajisjeve elektro-shtëpiake dhe mobilieve të shtëpisë, por u ishin djegur dhe një sasi e konsiderueshme parash, kursimet e krejt familjes. Grupi i hetimit konstatoi se shkak i zjarrit kishte qenë nxehtësia dhe divani që ishte shumë afër sobës së druve. Një tjetër zjarr ka rënë edhe në fshatin Podgorie të këtij rrethi. Për fat të mirë aty u arrit të shpëtohet djegia e shtëpisë. Po zjarri përfshiu ahurin e bagëtive, ku u dogjën të gjalla bagëtitë. Sipas policisë, shkak i këtij zjarri ishte një shkëndijë elektrike. j.gj