Kukës, 20 punëtorë të firmës maqedonase hyjnë në grevë urie
KUKES - Futen në grevë punëtorët e firmës "Granit", e cila po ndërton urat në segmentin Kukës-Morin, pjesë e autostradës Durrës-Morin. Rreth 20 punëtorë shqiptarë të urave, pasi kanë paralajmëruar me kohë për zgjidhjen e kërkesave të tyre, dje janë futur në grevë. Si ambient kanë zgjedhur një barakë në fshatin Gjegjan, pikërisht në njërin prej kantiereve të prodhimit të inerteve dhe betonit të kompanisë maqedonase "Granit", që ka marrë përsipër realizimin e 7 urave në segmentin Kukës-Morin. Grevistët thonë se janë diferencuar në pagë, nuk janë pajisur me rroba pune dhe nuk janë trajtuar me ushqim si punëtorët maqedonas. Ata para pak ditësh ia kanë bërë të qartë kërkesat dhe administratës së firmës, duke paralajmëruar edhe grevën. Kontrata e tyre origjinale është në gjuhën maqedonase, por gojarisht janë marrë vesh për trajtimet që i pretendojnë tani dhe nuk i morën asnjëherë. Sipas grevistëve, atyre nuk u është dhënë dhe paga e plotë që në fillim ishte 1 mijë lekë të reja në ditë, ndërsa tani ajo ka rënë me 40%. Punëtorët shqiptarë, banorë të zonës thonë se për të njëjtën punë në ndërtimin e urave, në beton dhe si hekurkthyes janë diferencuar nga punëtorët maqedonas, të cilët paguhen më shumë. Një 19-vjeçar punonjës i kësaj firme thotë se: "Ishte e tmerrshme në vapën e verës së shkuar. Punonim me orare të zgjatura e shikonim që punëtorëve maqedonas ua binin bukën tek puna nga Kosova dhe ne nuk na sillnin as ujë". Një nga grevistët tha se i kishte dërguar mesazh Kryeministrit Sali Berisha duke u ankuar për firmën në fjalë, por nuk kishte marrë përgjigje. Gjatë 2008-ës punëtorët janë ankuar edhe për mungesë të veshjeve të punës, një kusht elementar teknik dhe për sigurinë e jetës. Ata thanë se sa herë që kanë vizituar kantierin e punës ministri Olldashi apo krerë të tjerë të lartë ata janë transferuar në fronte të tjera pune, duke mos pasur mundësi të ankohen. Shumica e punëtorëve shqiptarë që janë punësuar aty janë krejtësisht në gjendje të rëndë ekonomike dhe janë detyruar të kryejnë punë të rëndë dhe me pak lekë. Megjithëse janë futur në grevë në një barakë jashtë çdo kushti dhe në temperatura të ulëta, ata thonë se nuk do ta lënë grevën, derisa të realizohen kërkesat e tyre. j.h