Ekspertët e LDK-së kundër ministrit të kulturës
Në një komunikatë për media, ky grup i ekspertëve e ka kritikuar ministrin Krasniqi për eliminimin politik të udhëheqësve të departamenteve dhe të institucioneve të kësaj ministrie, të cilët ose janë anëtarë të LDK-së ose janë venë në këto pozita në kohën kur ministrinë e kulturës e udhëhiqte LDK-ja.
“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i njohur për dy veprime të karrierës, heqja e fotove të presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe Nënë Terezës, si dhe themelimi i një çmimi që më parë ishte themeluar, me urdhrin dhe me ndihmën e shefit të tij, po vazhdon elimininim politik të udhëheqësve të departamenteve dhe të institucioneve të kulturës”, thuhet në komunikatë.
Po aty thuhet se pasi largoi politikisht drejtorin e Departamentit të Rinisë dhe atë të Zyrës së Informimit, pasi solli politikisht sekretarin e përgjithshëm dhe nëpërmjet njerëzve të tij shantazhoi drejtorin e Qendrës Kinematografike dhe atë të Galerisë së Arteve, tani ka shpallur konkurs politik për këta dhe drejtorë të tjerë, që të gjithë me kontrata valide.
“Po ashtu, të njëjtin veprim ka bërë lidhur me drejtorin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, që ka kontratë të ligjshme, gjë e pranuar publikisht edhe nga vetë ministria.
Ministri, me dëshirë ose i urdhëruar, dhjetë ditë më parë, në kundërshtim me ligjin, ka urdhëruar që të emërohet drejtori i departamentit të rinisë, ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, ndërsa sot ka shpallur konkursin po për të njëjtin pozicion”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të respektohen ligjet dhe normat e tjera, të mos ketë ndërhyrje të strukturave politike në administratën e ministrisë dhe të institucioneve, por të punohet për të krijuar kushte për punë.
Sipas ekspertëve të LDK-së, kjo kastë është e obliguar që të përmbushë ligjet dhe normat, është e obliguar që të punojë për institucionet e jo t’i pengojë ato në kryerjen e punëve. “Kasta politike e PDK-së në ose jashtë ministrisë nuk guxon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e institucioneve të kulturës dhe mbi krijuesit, sepse kulturën e bëjnë artistët e punonjësit e tjerë të kësaj fushe e jo njerëzit e interesave ditore, të cilët nuk i lidh asgjë me kulturën”, thuhet në komunikatë.