E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore: “Trebicka vdiq nga shumë goditje”

Nga këqyrja e kufomës konstatohen shembje të kokës, të gjoksit dhe dëmtime të organeve. 30 ekspertë të Policisë dhe të Prokurorisë morën pjesë në procesin e autopsisë

Luan Kondi

Tiranë – Kosta Trebicka ka vdekur si pasojë e politraumës, pra e goditjeve që ai ka marrë në kokë dhe në gjoks. Ky është konkluzioni paraprak i autopsisë së kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore të Korçës dhe atyre që mbërritën atje nga Tirana. “Shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma, e shoqëruar me shembje të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes”, - thanë ekspertët e Mjekësisë Ligjore për gazetën “Albania”. Edhe pse ka mbërritur pas më shumë se gjashtë orëve nga ngjarja në morgun e Korçës, ekspertët mjeko-ligjorë për gjithë natën kanë kryer këqyrjen e kufomës, me ndihmën edhe të specialistëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndërsa përfaqësuesit amerikanë, të FBI-së, apo pjesë e stafit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, duket se kanë besuar në autopsinë e ekspertëve shqiptarë, por burimet thanë se trupi i të ndjerit rreth mesditës është nisur për në morgun e Tiranës, ku mendohet se përfaqësuesit amerikanë kanë bërë vetëm një këqyrje e trupit të viktimës.
Hetimi
Ekspertët kanë përfunduar veprimet në vendin e ngjarjes, këqyrjen e hollësishme e kufomës, të makinës tip “NISAN” me targë TR 8843 J dhe të të gjitha sendeve dhe provave të tjera, të ndodhura në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, të gjitha veprimet e kryera janë shoqëruar me filmime dhe fotografime procedurale. Në dispozicion të grupit të hetimit janë vënë dëshmitarët që tregojnë rrethanat e hetimit si dhe janë siguruar ekspertë topografikë, për të marrë njohuri mbi terrenin ku ka ndodhur ngjarja dhe skicimin procedural të vendit të ngjarjes. Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme rezulton se viktima Kosta Trebicka, një natë para ngjarjes ka fjetur në hotel në Voskopojë dhe në orën 05:00 të mëngjesit ka dalë i vetëm nga hoteli me mjetin e tij dhe është nisur për gjueti. Hetuesit kanë dokumentuar edhe dëshmi të familjarëve dhe njerëzve pranë tij lidhur me ngjarjen. Gjatë gjithë natës ekspertët mjeko-ligjorë kryen këqyrjen e hollësishme të kufomës, e cila, sipas burimeve zyrtare, ka mbaruar në orët e mesditës së djeshme. Gjithashtu, në makinën provë-materiale janë fiksuar dhe përpunuar të gjitha gjurmët dhe mbetjet, të cilat, së bashku me sendet e sekuestruara, po u nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike.
Ngjarja
Trupi i pajetë i Trebickës, i veshur me rroba gjuetie, është gjetur i shtrirë mes një rruge fshati. Madje fare pranë tij u gjet edhe çiftja e gjuetisë. Makina e kuqe tip “Nisan” kabriolet ishte e dëmtuar vetëm në xhamin e parmë dhe u gjet 30 metra larg trupit të pajetë. Në këto rrethana të mistershme, rreth orës 14:00 të dy ditëve më parë, ka ndërruar jetë Kosta Trebicka, denoncuesi i skandalit të armëve drejt Afganistanit. Askush nuk e ka parë skenën e vdekjes së tij në rrugën rurale Voskopojë - Lekas. Nënshtetasi amerikan, me denoncimin e tij, zbuloi një nga skandalet më të mëdha të tregtisë së armëve, aferë kjo që nxori në pah korrupsionin në tragjedinë e Gërdecit, ishte nisur drejt Korçës të enjten, ndërsa nga komunikimi që ka pasur me të afërmit e tij u ka thënë se do të shkonte për gjah, argëtim nga i cili nuk u kthye më kurrë.

Pingpongu Ministri e Brendshme – Prokurori

Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kishte marrë në mbrojte Kosta Trebickën, pasi nuk kishte një kërkesë nga Prokuroria. Edhe pse Trebicka ishte dëshmitar kyç në çështjen e trafikut të paligjshëm të armëve, që doli në pah pas hetimeve të para për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, ai ishte lënë në mëshirë të fatit. Dikasteri i Rendit sqaron se mbrojtja bëhet vetëm me kërkesë nga Prokuroria, gjë që, sipas tyre, kishte munguar. Mosmarrja në mbrojtje e një dëshmitari kyç ngre dyshime të rënda edhe për vetë organin e akuzës shqiptare. Biznesmeni Kosta Trebicka kishte dëshmuar edhe më parë frikën që ndjente kohët e fundit pas dëshmive të bëra publike për aferën korruptive të armëve. Prokuroria shpjegon se nuk kishte ndonjë të dhënë se Trebickës i rrezikohej jeta, por familjarë dhe të miq të tij dëshmojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i frikësuar pas dëshmisë për Gërdecin.

Box

Morgu

Përfundoi rreth orëve të mesditës duke shënuar dhe autopsinë më të gjatë të realizuar ndonjëherë në vendin tonë. 30 ekspertë të Policisë dhe të Prokurorisë morën pjesë në procesin e autopsisë së Trebickës, dëshmitari kyç për hetimin e trafikut të armëve. Sipas të dhënëve nga grupi i ekspertizës janë konstatuar shenja të shumta në kokë dhe në nofull. Mbi trupin e tij do të kryhet edhe një tjetër ekspertizë, ndërsa në vendin e ngjarjes është rinisur grupi hetimor i Policisë për të bërë matjet.

Hoteli
Dhoma ku ka fjetur Trebicka, edhe pse me emër të rremë, është bllokuar. Në të janë gjendur sende personale të tij, të cilat gjithashtu janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Grupi i hetimit mori në pyetje personelin (dy kamerierë që i kanë shërbyer dhe roja) e hotelit ku ka kaluar natën, para se të gjendej i vdekur biznesmeni Kosta Trebicka. Ai kishte fjetur natën e fundit të jetës së tij në hotel “Akademia” në Voskopojë, në dhomën 107. Trebicka ishte regjistruar aty me emrin Artan dhe kishte bujtur i vetëm. Ndërkohë prokuroria ka nisur procedurat hetimore duke bllokuar dhomën ku ka fjetur Trebicka dhe duke marrë në pyetje stafin e turnit të paradites në hotel. Fakti që biznesmeni shqiptaro-amerikan është identifikuar me emër tjetër në hotelin e Voskopojës, ngjall dyshime se ai ka pasur frikë për diçka, ose ka pasur diçka për të fshehur. Ekspertët bëjnë të ditur detaje të tjera të hetimit për ngjarjen, duke njoftuar se në dhomën e hotelin është përdorur vetëm një shtrat dhe janë gjetur vetëm sende personale të Trebickës, por kuptohet se ky kontroll është bërë pas ngjarjes dhe dihet se dhomat rregullohen.

Makina

Ekspertët e parë që kanë mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar se makina tip “Nisan”, kabriolet, e dëmtuar, ishte ende e ndezur. Ndërkohë që grupi hetimor po analizon edhe shenjat e gishtërinjve të gjetura në makinë. Makina që ngiste Trebicka rezulton me parametra tejet cilësorë të sigurisë dhe të qëndrueshmërisë. “Patroli” i Trebickës është i pajisur me sistemin 4x4 të gomave aktive, ndërsa kjo makinë spikat edhe për rezistencën e lartë dhe për aftësinë e saj për të mos u përmbysur në terrenet e thepisura. Nisur nga fakti se terreni ku u gjet makina nuk ishte aspak i thepisur, lind pyetja se çfarë tjetër mund ta shtyjë këtë mjet të rrokulliset?!

Gjuetia

Trebicka nuk dilte vetëm për gjueti, pasi e ndjente veten të kërcënuar. Madje thuhet se në fshat ai është shoqëruar nga persona të tjerë, madje kjo është thënë edhe nga burime të policisë vendore. “Nga dëshmitë që kemi marrë në fshat kemi mësuar se ai ka qenë i shoqëruar nga dy burra të tjerë, por nuk dimë asgjë për identitetin e tyre. Jemi ende në kërkim”, -bënë me dije zyrtarë të Policisë së Korçës, të cilët po hetojnë ngjarjen.

Rruga

Në këtë rrugë mund të lëvizje jo më shumë se me 20-30 km në orë dhe me këtë shpejtësi nuk mund të aksidentohesh, pra të humbasësh kontrollim e mjetit edhe nëse ai ka pasur defekt. Gjithashtu terreni nuk përbënte rrezik për batim. Po ashtu edhe nga fakti se pretendohet që i ndjeri të ishte zënë poshtë nga makina duhet të shpjegohet pse ai nuk u gjet poshtë saj, por disa metra larg.

Ndjekja për ta eliminuar
Një nga pistat ku po hetohet është edhe ajo e ndjekjes pas nga persona të tjerë me automjet për ta eliminuar. Kjo mund të justifikojë në një farë mënyre modelin e një aksidenti, por edhe nëse ka ndodhur kjo, shpejtësia e madhe duhet ta kishte flakur tej personin e jo ta zinte poshtë, siç pretendohet. Goditet që janë vërejtur nga ekspertët në kokë dhe trup nuk mund të ishin të një makine që e ka nxjerrë jashtë personin dhe që u gjet 30 metra larg tij.

Ndihej i kërcënuar

Miku i Kosta Trebickës, Halil Vraja, tregon për frikën që ka ndier Kosta Trebicka kohët e fundit, para se të gjendej i vdekur. “Ishte shumë i frikësuar. I kam thënë të largohej, të ikte, mos të rrinte më këtu”, - tregoi për mediat miku i Trebickës. Sipas Vrajes, biznesmeni ka ndjerë frikën ndaj kërcënimeve menjëherë pas dëshmive që i bëri publike në media rreth aferave korruptive të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe një kompanie amerikane.

Prokuroria e Përgjithshme:
“Nuk kishim informacione se rrezikohej jeta e Trebickës”

Gjatë autopsisë janë marrë mostrat e nevojshme për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Organi i Prokurorisë është në pritje të rezultateve shkencore të ekspertimit mjeko-ligjor. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, për sqarimin e mëtejshëm të saj prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë kërkesë për vënien në dispozicion të një grupi ekspertësh me njohuri të posaçme për të dhënë kontributin e tyre në ekzaminimin e ngjarjes. Organi i akuzës nuk ka disponuar informacione që vinin në rrezik jetën e shtetasit Kosta Trebicka dhe as vetë ai nuk ka parashtruar para këtij organi shqetësime për vënien në rrezik të jetës së tij. Hetimet vazhdojnë me intensitet. Konkluzionet e hetimit do të bëhen menjëherë publike në përfundim të tij.

Policia e Shtetit: “Kosta Trebicka vdiq nga politrauma”

Në vendin e ngjarjes, i siguruar nga strukturat e Policisë së qarkut Korçë, ka filluar kryerja e veprimeve të para hetimore, si: këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, e kufomës, e makinës tip “NISAN” me targë TR 8843J dhe e të gjitha sendeve dhe provave të tjera, të ndodhura në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, të gjitha veprimet e kryera janë shoqëruar me filmime dhe fotografime procedurale. Vënia në dispozicion e grupit të hetimit, të dëshmitarëve që tregojnë rrethanat e hetimit. Janë siguruar ekspertë topografikë, për të marrë njohuri mbi terrenin ku ka ndodhur ngjarja dhe skicimin procedural të vendit të ngjarjes. Të gjitha hetimet kryesohen nga prokurori i rrethit gjyqësor Korçë. Gjatë gjithë natës nga byroja e ekspertëve mjeko-ligjorë është kryer këqyrja e hollësishme e kufomës dhe autopsia. Konkluzioni paraprak i tyre rezulton se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma, e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike. Në automjetin provë-materiale janë fiksuar dhe përpunuar të gjitha gjurmët dhe mbetjet, të cilat së bashku me sendet e sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike. Në përfundim të veprimeve hetimore, konkluzionet përfundimtare të ekspertëve të përfshirë në këtë hetim do të bëhen publike.

Kronologjia

12:00 - Një grupi i dytë ekspertësh ka mbërritur në Korçë për të hetuar mbi vdekjen e Kosta Trebickës

12:25 - Mbërrin në Korçë eksperti amerikan. Ai u takua me drejtorin e Krimeve të Rënda, Tonin Voci, me të cilin bisedoi rreth të dhënave të deritanishme për vdekjen e Kosta Trebickës

13:45 - Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se nuk e kishte marrë në mbrojte Kosta Trebickën, pasi kjo nuk iu ishte kërkuar nga Prokuroria

15:37 - Ina Rama niset drejt Korçës me helikopter, e shoqëruar nga një grup ekspertësh amerikanë

15:52 - Policia: “Kemi vënë në dispozicion një grup të specializuar hetimi dhe prokurorësh për ngjarjen”

16:03 - Policia: “Trebicka ka dalë i vetëm nga hoteli për gjah. Në trupin e tij janë vërejtur politrauma, shembje në kokë dhe në gjoks, që është karakteristikë e traumave të aksidenteve automobilistike”

16:44
IMI: “Vdekja pasojë e politraumës. Viktima shembje në kokë e gjoks”

17:45
Ekspertët amerikanë kanë kërkuar një autopsi të dytë më të hollësishme të trupit të Trebickës

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›