E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertet e Venecias Do asistojme tryezen ne Tirane

Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert kërkon nga politika shqiptare ngritjen në mënyrë urgjente të komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. Opinioni i delegacionit të Venecias dhe ODIHR vjen pasi është takuar me përfaqësues të ngjyrave kryesore politike në vend.

Markert ka shprehur gatishmërinë se Venecia dhe ODIHR do të ndihmojë spektrin politik për legjilascionin e ri elektoral. Ai shtoi se partitë politike të gjitha rekomandimet duhen t'i paraqesin në tryezën e reformës elektorale, ndërkohë garantoi se venecia dhe ODIHR do të asistojnë këtë komision.

“Nuk kemi ardhur për të gjykuar të shkuarën, por për të dhënë rekomandime për të ardhmen. Ne do të nxjerrin një opinion formal në 16 dhjetor, por ajo që kërkojmë paraprakisht është nisja e punës dhe ngritja e një Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore. Jam optimist për këtë, por nënvijëzoj se puna duhet të nisë sa më shpejt pasi kemi një numër të madh rekomandimesh. Parlamenti duhet të fillojë të punojë mbi rekomandimet e ODIHR. Ne jemi gati për të ofruar këshilla dhe ekspertizën e duhur”- tha Markert.

Pas takimeve me lidershipin politik në Shqipëri, sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert bëri me dije se misioni i Venecias dhe ODIHR nuk punon me partitë politike, por ofron ekspertizën e saj lidhur me kodin e ri zgjedhor dhe përshtatjen e rekomandimeve për Shqipërinë. “Çështjet që janë diskutuar do të reflektohen në opinionin e 16 dhjetorit, sidomos ato pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Rekomandimet e ODIHR kanë adresuar çështjet që duhen dhe nëse i zbatoni ato, atëherë do bëni progress. Ndaj detyra jonë është t`i qartësojmë këto rekomandime dhe të gjejmë mënyrat e duhura për t`i zbatuar ato”- tha Markert.

Pesë anëtarët e komisionit të Venecias dhe 3 nga rradhët e OSBE/ODIHR zhvilluan në Tiranë takime me klasën e lartë politike, krerët e institucioneve dhe anëtarët e KQZ-së. Vizita e delegacionit të Venecias erdhi pas letrës së 24 gushtit të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës për reformën zgjedhore.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›