E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare, Shqipëria kandidate në BE në nëntor të këtij viti

Blloku 27-anëtarësh konfirmon se Shqipëria përfiton statusin e kandidatit për në BE vetëm pas pak muajsh, ndërsa inkurajon vazhdimin e reformave, duke i kërkuar edhe opozitës shqiptare të jetë e angazhuar në këtë proces. Vjeshta e këtij viti do hyjë në historinë e vendit si periudha më jetike, përsa u takon proceseve të integrimit, teksa liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit do t’u rikthejë shqiptarëve dinjitetin e tyre europian

Brukseli konfirmon se në vjeshtë të këtij viti Shqipëria përfiton statusin kandidat në Bashkimin Evropian. Përveç deklaratës së dy ditëve më parë të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Unionit në Strasburg se duhen inkurajuar përpjekjet e vendit drejt strukturave evropiane, zyrtarë të lartë të Brukselit kanë pohuar dje se po përpilojnë vendimin, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule dhe Sekretari i Shtetit Spanjoll, Diego Lopez Garrido, janë shprehur dje se autoritetet shqiptare kanë të gjitha mundësitë të finalizojnë me sukses brenda vitit dy prej objektivave më të mëdha të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Fule tha se në muajin nëntor të këtij vitit Këshilli i Ministrave të BE-së do të paraqesë opinionin në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Në deklaratën e dhënë gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Milan Rocen, Komisioneri Fule është shprehur se mendimin i Këshillit do të jepet në të njëjtën kohë me Malin e zi.
“Komisioni Evropian ka qëllimin që t’i paraqesë në nëntor Këshillit të Ministrave dhe vendeve anëtare opinionin lidhur me aplikimin për statusin e kandidatit për Malin e Zi edhe për Shqipërinë njëkohësisht. Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshëm drejt integrimit dhe ne konsiderojmë si momentin e duhur për dhënien e opinionit”, u shpreh Fule.
Nga ana tjetër, Mali i Zi, shpreson të kompensojë prapambetjen që ka krahasuar Shqipërinë lidhur me integrimin në NATO. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Milan Rocen tha se “ne jemi një hap mbrapa krahasuar me Shqipërinë për integrimin në NATO dhe shpresojmë se do ta kompensojmë këtë me integrimin europian”.
Presidenca spanjolle, belge dhe hungareze kanë patur një program të përbashkët për procesin e zgjerimit dhe se politika e ndjekur nga presidenca spanjolle do të vijohet edhe nga dy të tjerat.
Në lidhje me procesin e integrimit ka folur dhe Sekretari i Shtetit Spanjoll, Diego Lopez Garrido. Në cilësinë e përfaqësuesit të vendit që ka presidencën e BE, Garrido ka theksuar se përkushtim i vendeve të BE për zgjerimin do të vijoj dhe me vendet e tjera që do të marrin presidencën.
“Përkushtimi për zgjerimin e BE-së me Ballkanin është një filozofi dhe angazhim jo vetëm të presidencës spanjolle, por edhe të dy presidencave të tjera belge dhe hungareze, pasi kemi punuar si trio dhe jemi të sigurt, së një angazhim i tillë do të ndiqet nga presidencat e ardhshme si belge. Ne jemi në favor të zgjerimit të BE-së pas përmbushjes së kritereve të vendosura”- deklaroi Garrido.
Dje, shefat e diplomacisë evropiane përmes një deklarate zyrtare konfirmuan mbështetjen e bllokut 27 anëtarësh për aspiratat integruese të Shqipëri.
Unioni theksoi se vazhdimi i reformave është një domosdoshmëri e veçantë për të ardhmen evropiane të vendit. Një thirrje kjo që shkon dhe për opozitën e Edi Ramës, bashkëpunimi i së cilës në Kuvend për reforma dhe ligje të rëndësishme ka qenë thuajse inekzistent.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›