E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët hyjnë në minierë për hetimin e shpërthimit

Për herë të parë pas shpërthimit të ndodhur ditë më parë, ekspertët kanë mundur të futen në nivelin 16, ku ndodhi dhe tragjedia

BULQIZË Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, të cilët kanë mbërritur në Bulqizë, kanë kërkuar nga ACR-ja arsyen e moszbatimit të urdhrit të saj që mban datën E

10 gushtit të këtij viti, urdhër ky që bënte fjalë për pezullimin e punimeve në frontet e pasigurta. Shtatë ditë pas shpërthimit të ndodhur në minierën e Bulqizës, ku një person humbi jetën dhe 8 të tjerë u plagosën, përfaqësues të Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave dhe Agjencia Kombëtare e burimeve natyrore kanë mbërritur dje për një inspektim në këtë minierë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të shpërthimit, si dhe për të parë nga afër gjendjen në minierën e Bulqizës. Mësohet se mëngjesin e djeshëm puna është pezulluar në të gjitha galeritë e minierës së Bulqizës. Specialistët pritet të inspektojnë pusin 2 në nivelin16, ku shtatë ditë më parë ndodhi shpërthimi i gazit dhe si pasojë, minatori Naim Shyti humbi jetën, ndërkohë që 8 të tjerë u plagosën. Në përfundim të vrojtimit nga ana e inspektorëve do të nxirren shkaqet dhe përgjegjësitë e tragjedisë në minierën e Bulqizës, ndërkohë që do vendoset nëse do të nisë puna apo jo. Zyrtarë të ACR-së nuk thanë sa do të zgjasë ky inspektim, por deklaruan se pa u kontrolluar të gjitha nivelet për sigurinë e jetës dhe shëndetit të punëtorëve, nuk do të nisë puna. Por ajo që e bën edhe më absurde këtë situatë është fakti se ACR-ja ka ndërprerë punën në sektorin D, ndërsa firmat e tjera vazhdojnë punën në këtë zonë. Pas aksidentit tragjik, kompania austriake ACR konfirmoi se, për sa i përket rrethanave të shpërthimit, kompania tha se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave të ministrisë dhe RISHM-it. “ACR sqaron se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe iu është përmbajtur akt-inspektimeve të RISHM-it në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune”. Kompania ACR thekson se është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM-it për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik. Pak ditë më parë sindikalistët vendosën të ngrinin një padi kundër përfaqësuesve të ACR-së. Sipas tyre, këshilli sindikal në mbledhjen e fundit të tij ka vendosur që të ngrejë një padi ndaj firmës ACR, pasi urdhri i dhënë nga Ministria e Ekonomisë nuk lejonte fillimin e punës në galeri. Ndërkohë, administrata e minierës ka urdhëruar minatorët të hyjnë në frontet e punës, paçka se ato kishin përqindje të lartë gazi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›