Trageti gjen në det varkën e anijes së mbytur
Afro 40 milje larg nga vendi i përplasjes është bërë e mundur dhe gjetja e varkës së anijes së mbytur
DURRËS Një traget i linjës Trieste-Durrës ka pikasur në det të hapur një varkë me logon e anijes turke "Reina 1". Varka e shpëtimit u zbulua nga trageti "Filipos", ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe fregata turke që ka rinisur kërkimet për marinarët e zhdukur. Po ashtu në zonë kanë shkuar edhe mjete lundruese të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ndërkohë gjatë ditëve të kaluara janë kryer kërkime të vazhdueshme në det për tetë të zhdukurit e aksidentit detar pas përplasjes së anijes "Reina 1" me tragetin e pasagjerëve "Ankara". Ditën e djeshme anija turke “Barbarosa” ka rinisur kërkimet për gjetjen e 8 trupave të zhdukur të ekuipazhit të anijes “Reina 1”, e cila u fundos 5 ditë më parë rreth 20 milje larg bregdetit të Durrësit. Mësohet se në operacionin e kërkimit është angazhuar edhe anija shqiptare “Iliria”. Dje u shënua dita e pestë e kërkimeve për 8 anëtarët e ekuipazhit të anijes turke, ndërkohë që autoritetet thonë se shpresat për gjetjen e tyre janë të pakta. Anija u mbyt 5 net më parë në detin Adriatik, për shkak të përplasjes me tragetin e linjës Bari- Durrës, “Ankara”. Anija tregtare “Reina 1”, me flamur maltez dhe me pronësi turke, u përplas nga trageti i linjës Durrës-Bari në orën 00:50 minuta të mëngjesit të së enjtes. Anija, e cila raportohet se po transportonte drithë drejt portit Bar të Malit të Zi, sipas dëshmive paraprake ka manovruar për të shmangur aksidentin, por më pas është goditur në pjesën fundore të saj nga trageti “Ankara”, në bordin e së cilës ndodheshin 169 pasagjerë. Trageti nuk ka pësuar asnjë dëmtim, thonë dëshmitarët, ndërkohë që anija tregtare është fundosur brenda 2 minutave. Tronditja e fortë në tragetin me 169 persona në bord dhe pamja e anijes që mbytej ka tmerruar pasagjerët që kanë kërkuar ndihmë. Aktualisht ekspertët flasin për një gabim njerëzor, ndërkohë që do të jetë kutia e zezë e anijes që do të zbardhë komunikimin e mundshëm mes drejtuesve të dy mjeteve që u përplasen rreth 20 milje larg brigjeve të Durrësit. Në anije konfirmohet se ndodheshin 10 shtetas turq, më i riu një ndihmës/marinar i vitlindjes 1989. Prokuroria e Durrësit ka nisur menjëherë verifikimet paraprake procedurale, duke dërguar dy prokurorë në spitalin ku mbahen dy të mbijetuarit. Por pyetja e tyre nuk është bërë e mundur, pasi njëri prej tyre është në gjendje shoku, ndërsa kapiteni ka probleme shëndetësore në mushkëri.