Barnat me rimbursim dhe TVSH-ja, farmacitë në kaos
Mosmiratimi i listës së re të barnave me rimbursim dhe futja e TVSH-së mbi medikamentet ka ndikuar negativisht në tregun farmaceutik, ku pasojat më të rënda po i vuajnë pacientët. Lista e re e barnave me rimbursim nuk është miratuar ende nga qeveria, ndërkohë që edhe pas kësaj procedure do të duhet të kalojnë edhe disa ditë të tjera që ajo të hyjë në fuqi, ka krijuar një situatë kaotike jo vetëm te farmacistët, por edhe te përfituesit e këtyre ilaçeve, që janë të sëmurët kronikë. Sipas deklaratave të bëra nga autoritetet shëndetësore në mesin e muajit prill, lista e barnave me rimbursim për vitin 2011, ndërsa kanë kaluar tashmë 5 muaj, do të hynte në fuqi brenda majit, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas kreut të Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari, vonesa e pajustifikuar e miratimit të listës së barnave të rimbursueshme për këtë vit jo vetëm ka çorientuar farmacistët, por dhe vetë pacientët kronikë. Pas shqetësimit të ngritur nga farmacistët, pjesa më e madhe e të cilëve deri tani nuk i kanë ndryshuar as çmimet e medikamenteve dhe pse nga marsi i këtij viti është vendosur dhe TVSH-ja për barnat, ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi nga institucioni i tyre përfaqësues që është Urdhri i Farmacistit. Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari, i kërkon Këshillit të Ministrave të miratojë sa më parë listën e re, por dhe të rishikojë vlerën e TVSH-së për barnat, pasi është tejet e lartë. “Këtë vit është vendosur TVSH-ja për barnat 10% dhe kjo ka shkaktuar një rritje të çmimit të të gjitha barnave me 10%. Ne kemi kërkuar shpesh që të ulet TVSH-ja e barnave, mundësisht të kalojë nga 10% në 1% apo 0%. Kjo do të ishte në të mirë të siguruarve tanë, sepse Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në vend që të paguajë TVSH-në e barnave do të paguante më shumë për konsumatorin”, - deklaron Jaupllari. Përpos këtij fakti, një shqetësim që u ka ardhur jo vetëm farmacistëve, pacientëve, por edhe depove farmaceutike dhe importuesve është mungesa e mjaft medikamenteve në tregun farmaceutik, për shkak të mos kryerjes së furnizimit nga importuesit, të cilët, që nga vendosja e TVSH-së, nuk kanë marrë dot përsipër riskun e humbjes nga blerja e barnave me 10% më shumë. Në këto kushte, askush prej tyre nuk di të bëjë saktë llogaritë e fitimit dhe të humbjes nga blerja dhe shtija e barnave me TVSH, ndërkohë që sipas farmacistëve nevojitet një ndërhyrje për të zgjidhur këtë ngërç që është krijuar në tregun farmaceutik. Këtë vit, 24 medikamente të reja janë propozuar që t’i shtohen listës së barnave të rimbursueshme për vitin 2011. “Lista e re e rimbursimit ka përfunduar, por sivjet ka pasur një tjetër risi në sistemin tonë tatimor dhe doganor. Është futur TVSH-ja dhe mbi medikamentet dhe për shkak rikalkulimeve në sistem është vonuar dalja e listës së re. Jo se nuk është përgatitur, por besoj se në fund të muajit tjetër do të jetë në dispozicion të qytetarëve”, - ka pohuar në muajin prill Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë. Barnat e reja që do të futen në listën e 2011-s janë ilaçe që kurojnë sëmundjet tumorale dhe ato të gjakut.