Recetat me rimbursim, ISKSH zbulon abuzimet
Dëmi që u është shkaktuar farmacive nga mungesa e barnave të reja me rimbursim duket se ka qenë më i madh nga sa është përllogaritur në plan të parë. Nëse do t’i referohemi faktit tjetër zyrtar, se farmacitë kanë abuzuar me këto barna, duke u dhënë pacientëve ilaçe që s’i kanë pasur në gjendje, dhe megjithëkëtë kanë përfituar rimbursim në mënyrë të padrejtë nga ISKSH, për medikamente që realisht s’i kanë shitur, humbja e farmacistëve bëhet edhe më e madhe. Sipas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Kontrollit të Parësorit dhe Farmaceutik, për 5-mujorin e parë të vitit 2011, farmacitë janë rimbursuar padrejtësisht për barna pa i pasur gjendje në farmaci, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në. Lidhur më këtë abuzim, drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Farmaceutik dhe Parësorit në ISKSH, Pjerin Kodraçaj, bën të ditur se “Nga sektori i kontrollit të farmacive janë ushtruar kontrolle tematike dhe me inventarizim në 3 drejtori rajonale si më poshtë: DRSKSH-Berat, janë kontrolluar 9 subjekte farmaceutike, ndaj të cilave janë vendosur masa administrative me gjobë në vlerën 21 mijë lekë, kusht penal në vlerën 100 mijë lekë, si dhe dëm ekonomik në vlerën 642 953 lekë. DRSKSH-Durrës, janë kontrolluar 10 subjekte farmaceutike, ndaj të cilave janë vendosur masa administrative me gjobë në vlerën 44 mijë lekë, kusht penal në vlerën 120 mijë lekë, si dhe dëm ekonomik në vlerën 668 383 lekë. DRSKSH-Lezhë, janë kontrolluar 8 subjekte farmaceutike, ndaj të cilave janë vendosur masa administrative me gjobë në vlerën 15 mijë lekë, kusht penal në vlerën 90 mijë lekë, si dhe dëm ekonomik në vlerën 410 243 lekë”. Në bazë të kontrolleve, ISKSH ka vendosur masa administrative me gjobë për shkeljet e më poshtme: për diferenca në minus të pajustifikuara me receta pa rimbursim; për parregullsi në dokumentacion sipas detyrimeve kontraktuale; për mos prezencë të drejtuesit teknik me kontratë me DRSKSH-të. Po kështu janë vendosur masa zhdëmtimi për farmacitë të cilat janë rimbursuar padrejtësisht për barna, pa i pasur gjendje në farmaci, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në. ISKSH sqaron se me këto drejtori kanë kontratë 146 subjekte farmaceutike, nga të cilat janë penalizuar 52 subjekte farmaceutike. Ndërkaq, ndaj 52 subjekteve janë vendosur masa administrative me gjobë për 15 subjekte në vlerën 80 mijë lekë, kusht penal për 25 subjekte, në vlerën 310 mijë lekë, si dhe dëm ekonomik për 27 subjekte në vlerën 1 721 579 lekë.