E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperti i BE, negociata në Tiranë



Aristir Lumezi

"Darka" e Strasburgut ka vendosur mbi lëvizjet e ardhshme politike. Negociatat mes palëve do të nisin menjëherë në nivel ekspertësh, të cilët do të monitorohen nga afër nga një ekspert i Bashkimit Evropian. Ekspertë ligjorë të PD-së dhe PS-së do të ulen për të gjetur pika të përbashkëta dhe për të kaluar ngërçin e fletëve të votimit. Por, si kreu i opozitës, Edi Rama, ashtu dhe Kryeministri, Berisha, kanë marrë angazhime konkrete përpara përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Mësohet se Berisha ka shprehur vullnetin e tij politik, për të gjetur zgjidhjen më optimale për këtë situatë politike, ndërsa kreu socialist mësohet të jetë angazhuar për rikthimin në parlamentar të grupit parlamentar socialist. Rikthimi në Parlament i opozitës ka qenë një kërkesë permanente e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa opozita e kishte kushtëzuar atë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku priten të përcaktohen dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare që drejtohen nga opozita. Ky vendim do të shënojë dhe përfundimin e bojkotit të PS ndaj Parlamentit, bojkot që zgjati rreth 9 muaj dhe u thye vetëm gjatë debatit për djegien e mandateve të deputetëve nga Kryetarja e Kuvendit.
Madje, kthimi i deputetëve socialistë në Parlament do të rikthejë në normalitet dhe zhvillimin e seancave parlamentare, pasi nga java që vjen Parlamenti do të mbledhë edhe seancën e ditës së hënë. Për këtë janë lajmëruar dje të gjithë deputetët e maxhorancës, për seancë parlamentare ditën e hënë. Takimi i Strasburgut hodhi piketat mbi një marrëveshje të mundshme, e cila duhet të arrihet brenda dy javëve të ardhshme. Duket se palët bien dakord për hapjen e materialeve zgjedhore, ndërsa ndahen te fletët e votimit. Sipas propozimit të ofruar nga evropianët, Komisioni Hetimor parlamentar mund të nisë punë me materialet zgjedhore, ndërsa për fletët e votimit komisioni t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Por momenti i këtij propozimi ku ndahen krejtësisht palët, është mënyra e trajtimit të fletëve të votimit. Sipas maxhorancës, me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, fletët e votimit duhet të digjen nga KQZ, opsion ky që kundërshtohet nga socialistët. Ky do të jetë momenti mbi të cilin ekspertët ligjorë të dy partive dhe eksperti i BE-së, do të mundohen të gjejnë një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët, duke i dhënë fund krizës. Në këtë përfundim palët erdhën pas darkës në Strasburg të dy drejtuesve politikë të PD dhe PS, Berisha dhe Rama me përfaqësuesit më të lartë evropianë, nën drejtimin e Komisionarit për zgjerim, Stefan Fyle. Në përfundim të takimit, që zgjati mbi katër orë, Kryeministri Berisha u shpreh se "kam respektin më të madh për faktorin ndërkombëtar dhe kontributin e tij, por edhe për kundërshtarin tim politik". Ndërsa nga ana e tij, kreu i PS-së, Edi Rama vlerësoi rolin e deputetëve dhe mbështetësve të cilët u futën në grevën e urisë për 19 ditë. "Kauza jonë do të vazhdojë. Vetë kauza e opozitës ka shërbyer që kjo çështje të ngrihet në nivele kaq të larta", u shpreh Rama, pas darkës me Berishën dhe evropianët.

Stefan Fyle
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, pas takimit me Ramën e Berishën, bëri të ditur se ka ende shumë punë për të bërë. Gjithsesi Fyle u shpreh optimist për një zgjidhje. "Darka shkoi shumë mirë, por negociatat do vazhdojnë. Ishte një diskutim i hapur dhe mendoj se ne po ecim përpara", u shpreh Fyle për mediat, pak pas takimit. Në darkën e Strasburgut, morën pjesë dhe krerët e grupeve parlamentare, të majta dhe të djathta, Joseph Daul dhe Martin Schulz, Kryetari i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan dhe nënkryetari i PSE-së, Johanes Svoboda, si dhe drejtori për zgjerimin e BE-së, Pier Mirel, kanë kërkuar gjetjen e një formule që të pranohet nga të gjitha palët, ndërkohë që nuk ka hedhur një draft konkret në bisedime.

Balla: Hap i madh drejt transparencës

Deputeti socialist që shoqëroi Ramën në Strasburg, Taulant Balla, e cilësoi hap pozitiv takimin me evropianët. "Tryeza e mbrëmshme ishte një hap i madh përpara drejt garantimit të një transparence të plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Tryeza nuk është mbyllur, ndërsa zgjidhja është shumë afër. Palët duhet të marrin përgjegjësitë për të mos djegur afatin ULTIMATIV 2 javor. Ajo që duket tashmë më së qarti, është fakti që kutitë e dokumentacionit zgjedhor do të hapen, duke nxjerrë kështu në dritën e diellit të gjitha ruzhdiet e Shqipërisë. Kjo është e pandryshueshme tashmë. Ndërsa palët janë ende në kërkim të një qasjeje për fletët e votimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›