Qëllon me çifte në shkollë,14-vjeçari: Më fyen mësuesit
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Nxënësi 14-vjeçar qëllon me armë në shkollë, duke rrezikuar jetën e fëmijëve të 9-vjeçares dhe mësuesve.Incidenti i rëndë u shënua paraditen e djeshme në shkollën "Liri Kazazi" të qytetit të Lushnjës. Ka qenë ora e dytë e mësimit, pra rreth orës 10:00, kur nxënësi me inicialet D.çekrezi është konfliktuar me mësuesit e tij, atë kujdestar Ibrahim Sina dhe mësuesin e edukimit fizik, Sokol Dushi, çka ka ngjallur zemërimin e tij. Burime nga klasa treguan se zanafilla ishte një debat me fjalë gjatë orës së mësimit mes mësuesit të fizkulturës dhe nxënësit çekrezi, në kohën kur ndodheshin në oborrin e shkollës. Në këtë debat është përfshirë edhe mësuesi kujdestar, i thirrur nga Dushi, por në vend që të qetësohej gjendja, ajo është ashpërsuar më tej. Nga dëshmitë e marra nga grupi hetimor, nxënësi është prekur pas një fyerje që mësuesi i ka bërë kur 14-vjeçari nuk ka realizuar disa elementë mësimorë. Përballë fjalëve të dy mësuesve, çekrezi ka lënë orën e mësimit dhe është larguar me shpejtësi. Por, kanë kaluar vetëm disa minuta, që shokët të shihnin 14-vjeçarin të rikthehej në oborrin e shkollës, me një armë në dorë. Sipas policisë, ai kishte marrë çiften e të atit, të cilën e mbante pa leje B.çekrezi. Ai ka qëlluar në ajër, duke përhapur panik tek nxënësit që ndodheshin në oborr, ndërsa të tjerë kanë dalë në dritare për të parë se çfarë po ndodhte. Ata që po qëndronin jashtë janë larguar me vrap e bashkë me ta edhe mësuesit. Pas këtij veprimi, nxënësi është larguar me shpejtësi. Policia e Lushnjës ka shkuar në vend, duke marrë në pyetje dy mësuesit, të cilët kanë mohuar të kenë fyer nxënësin e tyre. Të kundërtën ka shprehur 14-vjeçari, i cili është shoqëruar në komisariat bashkë me të atin. Në prani të babait dhe një psikologu ai ka pohuar se mësuesit e kanë fyer, madje e kanë sharë rëndë atë dhe prandaj ka marrë armën duke qëlluar. Deri në orët e mbrëmjes, at e bir ndodheshin në ambientet e policisë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.