E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Ka përparim,marrëveshje brenda dy javëve



Ilir Nishku

Maxhoranca dhe opozita mund të arrijnë konsensusin gjatë dy javëve të ardhshme. Këtë e bëri të ditur dje nënkryetari i Grupit Parlamentar Kristian-demokrat në Parlamentin Evropian, Ioannis Kasoulides gjatë një interviste për BBC-në. Duke folur për darkën në restorant "Crocodile" në Strasburg, eurodeputeti Kasoulides tha se "janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tri javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje". Gjatë darkës në praninë e përfaqësuesve më të lartë të majtës dhe të djathtës evropiane dhe të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, udhëheqësit shqiptarë kanë biseduar për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët për kapërcimin e krizës politike që ka mbërthyer vendin, që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar. Vetë komisioneri Fule në përfundim të takimit që zgjati 4 orë e 30 minuta tha se ka ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.
çfarë doli nga takimi në Strasburg?
Fillimisht dua të them se kjo ishte një nismë e dy grupeve më të mëdha në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane dhe grupeve Socialiste e Demokrate, dhe dy kryetarët e grupeve Presidenti (Joseph) Daul dhe Presidenti (Martin) Schulz kishin ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësin e opozitës, Edi Rama, për të ardhur në Strasburg, në një vend simbolik, kryeqyteti i Evropës, dhe qyteti i pajtimit në Evropë, për të diskutuar lidhur me mënyrat për të dalë nga gjendja e tanishme e ngërçit politik dhe nga kriza politike me të cilën përballet Shqipëria.
Janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tri javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje.
çfarë është vënë mbi tryezë zoti Kasoulides?
Unë nuk dua të hyj në këto lloj hollësish. Ju e dini më mirë se unë se cilat janë çështjet që ngrihen në Shqipëri për momentin, prandaj mbi tryezë janë ide se si t'i zgjidhim të gjitha ato në mënyrë të kënaqshme, që sistemi parlamentar të punojë pa pengesa në mënyrën evropiane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe unë mendoj se mbrëmë në këtë mënyrë u veprua dhe kjo është rruga përpara.
Nga takimi i mbrëmshëm, a mendoni ju se mund të arrihet një zgjidhje? A janë palët konstruktive?
Jam optimist se të dy udhëheqësit po kërkojnë një zgjidhje dhe prandaj një zgjidhje mund të arrihet.

Reagimet e krereve te pd e ps

Berisha: Darkë e këndshme, zgjidhja sipas Kushtetutës

I porsa kthyer nga Strasburgu, Kryeministri Sali Berisha tha se përfaqësuesit e Parlamentit dhe Komisionit Evropian ishin të vendosur të gjenin një zgjidhje, duke respektuar Kushtetutën. "Patëm një darkë, në restorant "Crocodil" të Strasburgut. është një nga darkat më të shijshme. Unë jam edhe një person që e dua shumë Strasburgun sepse është dhe një qytet me histori frymëzuese. Nga ana tjetër, darka sigurisht nuk ishte një darkë ahengu, por ishte një darkë pune", u shpreh Kryeministri sapo doli nga hyrja VIP në Aeroportin e Rinasit. Sipas tij, qëndrimi i vërejtur në darkën e dy netëve më parë, nuk kishte ndryshim nga deklarata e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe ato të Brukselit. "Mund t'u them se te të pranishmit spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor, vendimeve të gjykatave në zgjidhjen e këtij problem. Pra ishte një sintoni dhe me qëndrimet e mëparshme, si të Komitetit Presidencial dhe të Byrosë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ashtu dhe deklaratat e përsëritura të Brukselit. Ndaj dhe unë dua t'u përshëndes që keni dalë në aeroport për të marrë përshtypjen e një darke të këndshme", theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Pasi qëndroi rreth katër orë e gjysmë me kundërshtarin e tij politik përballë zyrtarëve të lartë të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, Kryeministri Berisha nuk i ka kursyer batutat për Ramën sapo ka mbërritur në Shqipëri. "Gjithçka lidhet me personin e tij, ju lutem priteni kur të kthehet dhe pyeteni atë. E tëra çka mund t'u them për të është se, dëgjova një zë, që se nga erdhi, as vetë nuk e mora vesh që i tha, këtë darkë të takon ta paguash ti", tha Berisha.

Rama: Morëm materialet, po punojmë për fletët e votimit

Kreu i opozitës, Edi Rama, shprehet optimist në realizimin e kërkesave të opozitës në tryezën për kompromis me ndërkombëtarët. Vetëm një ditë nga zhvillimi i takimit në Strasburg, Rama deklaroi se zgjidhja është afër. Ai tha se është arritur mundësia e hapjes së kutive me materialet zgjedhore, ndërsa tani po punohet për kutitë me fletët e votimit. "Të mos harrojmë se çështja e kutive, dokumentacionit zgjedhor ose kutive të Ruzhdieve të Shqipërisë, deri para pak ditësh mund të ishte një tabu. Ndërkohë që sot është kthyer në një realitet të prekshëm në rrugën e zgjidhjes. Ndërkohë që duhet të vazhdojmë të punojmë për të realizuar një kompromis të arsyeshëm, lidhur me qasjen ndaj fletëve të votimit", tha Rama. Sipas tij, "zgjidhja është plotësisht e mundshme dhe rruga e zgjidhjes është plotësisht e qartë, përmes garantimit të transparencës, duke i krijuar hetimit parlamentar akses të plotë në dokumentacionin zgjedhor". Kreu i PS-së tha më tej se greva e urisë nuk dështoi, pasi sipas tij, ajo arriti sensibilizimin për realizimin e kërkesave të opozitës. "Kush mendon dhe thotë se ndërprerja e grevës ishte rezultat i presionit, apo akoma dhe më keq se nga ndërprerja e grevës ne nuk fituam atë që duhej, është krejtësisht i gabuar. Greva u ndërpre në kushtet kur sensibilizimi lidhur me çështjen tonë arriti kulmin dhe u mishërua në vullnetin e mirë të gjithë këtyre faktorëve dhe aktorëve që përmenda, për të angazhuar një proces negocimi në tryezën më të lartë që bota demokratike ka", u shpreh Rama. Ai tha më tej se nga darka në Strasburg "nuk ka pasur një rezultat konkret dhe përfundimtar, por në këndvështrimin tonë është bërë një progres shumë i rëndësishëm në dy aspekte". Sipas kreut të opozitës, janë lënë "dy javë për një afat ultimativ për një zgjidhje".
`

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›