E Diel, 1 Nëntor 2026

Pije false pa analiza në Tiranë, pranga biznesmenit



Etleva Delia

Një tregtar dhe një kimiste u arrestuan dje nga policia e Tiranës, e cila zbuloi një punishte pijesh të falsifikuara, që hidheshin në treg pa analizat e nevojshme për shëndetin. Punishtja u zbulua në një ambient magazine në afërsi të Shkozës gjatë një operacioni të Antikrimit Ekonomik të policisë së Tiranës i koduar me emrin "Kokteil". Nuk ka ende të dhëna nëse pijet e prodhuara pa licencë përbëjnë rrezik për shëndetin, megjithatë policia tha se produkti hidhej në treg pa analizat e nevojshme kimike mbi përbërjen e lëngjeve dhe pijeve. Pronari i punishtes, biznesmeni Vasil Zhupa dhe kimistja Rajmonda Neziri, u arrestuan. Kjo e fundit ishte e punësuar për të analizuar produktet para se të hidheshin në treg, por sipas policisë, ajo në asnjë rast nuk kishte kryer analiza mbi përmbajtjen e pijeve që hidheshin në treg, duke mos vlerësuar kështu riskun që produktet kishin për shëndetin e konsumatorëve. Pas arrestimit të biznesmenit dhe kimistes, policia shoqëroi edhe pesë persona të tjerë, të cilët do të procedohen penalisht në gjendje të lirë, duke qenë se ishin në dijeni të aktivitetit kriminal dhe bashkëpunonin me dy të arrestuarit. Burime nga policia thanë se në magazinë u sekuestruan mallra me vlerë rreth 500 mijë euro, të cilat janë prodhuar pa licencë, me etiketa të pamiratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe të paregjistruara në organet tatimore, për t'iu shmangur taksave. Të arrestuarit në mënyrë të paligjshme arrinin të konkurronin edhe ato kompani të tjera që prodhonin produkte që ishin të licencuara. Policia tha se punishtja prodhonte produkte të falsifikuara, që shiteshin në treg me një çmim më të vogël se produktet origjinale, duke i konkurruar mallrat e vërteta dhe të licencuara. Policia pohoi se do të zhvillojë analiza të hollësishme kimike për të verifikuar nëse pijet e prodhuara në punishte përbëjnë rrezik për shëndetin.TE ARRESTUAR

TE ARRESTUAR

Vasil Zhupa, 46 vjeç, pronari i punishtes
Rajmonda Neziri, 41 vjeç, kimiste
5 persona, procedim penal në gjendje të lirë

SEKUESTRUAR
250 arka me shishe lëngjesh frutash të ndryshme.
10 makineri, që shërbenin për prodhimin, ambalazhimin dhe etiketimin e lëngjeve të frutave.
20 mijë shishe të ndryshme, që shërbenin për mbushjen dhe tregtimin.
100 mijë etiketa dhe stampa të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›