Meta, telefonatë me Hague: Të përmirësohet klima politike
Sekretari Britanik i Shtetit për çështjet e Jashtme, William Hague, në një bisedë telefonike me zëvendëskryeministrin njëherësh ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, theksoi rëndësinë e përmirësimit të klimës politike në vend. Sipas njoftimit zyrtar, dy diplomatët ndanë mendimin se duhet të ketë një dialog politik të vazhdueshëm mes partive politike. "Meta dhe Hague biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri. Në këtë kontekst, ata ndanë dëshirën për përmirësimin e klimës së brendshme politike, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik në vend", thuhet në njoftim. Më tej Hague dha mbështetjen për integrimin e Shqipërisë. Në këtë bisedë mes dy krerëve të diplomacive, u diskutua gjerësisht mbi integrimin e Shqipërisë, realizimin e reformave si dhe për mbështetjen e Britanisë së Madhe në procesin e integrimit të Shqipërisë. Biseda u ndal edhe në pozitën e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit. "Hague nga ana e tij shprehu kënaqësinë për të punuar me Metën dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në integrimin evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se Ballkani Perëndimor do të jetë një prioritet i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike dhe se Konferenca e Sarajevës do të jetë një moment inkurajimi për rajonin", thotë njoftimi. Më tej Meta uroi për detyrën e re Sekretarin Britanik të Shtetit për çështjet e Jashtme, Hague, i cili vjen nga radhët e Partisë Konservatore. Kjo parti fitoi zgjedhjet e fundit në Angli dhe kreu i saj Kameron u bë Kryeministri i Britanisë së madhe. Meta, njëherësh kreu i LSI-së, ka ruajtur marrëdhënie me konservatorët britanikë të cilët qëndruan në opozitë prej mese 13 vite. "Gjatë një bisede telefonike, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta e uroi Sekretarin Britanik të Shtetit për çështjet e Jashtme, z. William Hague, për detyrën e re duke shprehur besimin tek angazhimi i mëtejshëm i Qeverisë britanike si dhe tek kontributi i tij personal për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet Tiranë - Londër si shumë të rëndësishme", thotë më tej njoftimi zyrtar.