Denoncojnë familjarët, vdes në spital 57-vjeçari
Një pacient rreth 57 vjeç humbi jetën dje, dhjetë minuta pasi u shtrua në spitalin francez të kryeqytetit. Burime nga stafi i mjekëve bëjnë me dije se viktima ka mbërritur në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe nuk ka mundur të shpëtojë, ndonëse i është dhënë urgjentisht ndihma e shpejtë. Por familjarët, të irrituar kanë denoncuar vdekjen në polici duke akuzuar mjekët për mjekim të gabuar. Sipas familjarëve, viktima Edmond Beci nuk vuante nga asnjë sëmundje, ndërsa theksojnë se mbërriti në spital me probleme në fyt. Ata shtojnë se viktima, në momentin që është shtruar në spital, nuk ishte në gjendje të rëndë, kishte vetëm shqetësime në grykë. Ata sqaruan se vdekja e të afërmit të tyre erdhi pas ekzaminimit me sondë. Por krejt i ndryshëm është varianti që japin mjekët. Burime zyrtare nga spitali "Nënë Tereza" pohuan për gazetën se viktima është paraqitur dje në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, me probleme të frymëmarrjes. "Mjekja që ndoqi të sëmurin i ka vendosur kalimin e tij në terapi intensive, duke e trajtuar me oksigjen, por pacienti humbi jetën disa minuta pasi u fut në reanimacion. Paraprakisht dyshohet për një kancer të laringut, por gjithçka pritet të verifikohet në vijim", thanë burimet. Pas kësaj ngjarjeje, familjarët kanë lajmëruar policinë, e cila pritet të japë informacione vetëm pas ekspertizës mjeko-ligjore. Kufoma e 57-vjeçarit është dërguar në morgun e Tiranës, nga ku pritet edhe raporti i mjekësisë ligjore.