Thaçi: Konferenca e Bërdos, e suksesshme për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar të suksesshëm për Kosovën takimin e Bërdos në Slloveni, ku me gjithë përpjekjet e Serbisë dhe vendimin saj përfundimtar për të bojkotuar, Kosova u përfaqësua si shtet i pavarur. “Takimi i liderëve të rajonit në Bërdo të Sllovenisë ka qenë një takim jashtëzakonisht i suksesshëm për Republikën e Kosovës, për përfaqësimin e saj të barabartë, për prezantimin e vizionit për bashkëpunim rajonal, bilateral në të gjitha vendet e rajonit, por në të njëjtën kohë edhe të vizionit për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për të kaluar nga faza e stabilitetit në atë të zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të shteteve tona”, tha Thaçi menjëherë pas kthimit në Prishtinë. Sipas vlerësimit të kreut të ekzekutivit të Kosovës, deklarata e përbashkët e nënshkruar nga të gjithë përfaqësuesit e këtij takimi është e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror. “Deklarata e përbashkët ishte zotim për të ndihmuar secili shtet secilin, por edhe për nevojën për të njohur njeri-tjetrin, për të njohur shtetet përkatëse që të rritet dhe të thellohet bashkëpunimi i ndërsjellët, ndërshtetëror. Në kuadër të kësaj besoj se gjërat do të lëvizin edhe më mirë edhe më shpejt, bashkëpunimi do të rritet dhe i tërë Ballkani Perëndimor do të integrohet në strukturat e NATO-së dhe të BE-së”, tha Thaçi. Për vendimin e Presidentit serb, Boris Tadiç për të bojkotuar këtë konferencë, Thaçi tha se vendimi i përket shtetit pjesëmarrës. Ndërsa në lidhje me konferencën e paralajmëruar të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në qershor në Sarajevë, Thaçi ka thënë që Kosova kudo qofshin takimet, ajo do të paraqitet si shtet i pavarur dhe sovran.
Jeremiç: Presion që Serbia të shkonte në Bërdo
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, duke e vlerësuar të pasuksesshëm dhe të paorganizuar mirë takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni, tha se mbi Serbinë është bërë presion që vendi të marrë pjesë në konferencë. Duke u shprehur për kërkesën e Serbisë, që Kosova, në këtë takim të përfaqësohej sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e jo si shtet i pavarur, Jeremiç tha se “organizuesit, për fat të keq, këtë nuk ishin në gjendje ta plotësojnë dhe nën këto kushte, nuk ka mundur të pritej që atje të paraqitet presidenti i Serbisë dhe zyrtarët më të lartë të BE-së”. Ai tha në RTS, se ka pasur presione që Serbia të marrë pjesë në Konferencën e Bërdos. “Disa presione ishin edhe publike, por ne e kemi pozicionin tonë të qartë, nga i cili nuk mund të tërhiqemi. Serbia dëshiron raportet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, por Kosova nuk është dhe nuk do të jetë fqinji ynë, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”, tha ai.