Ekspertim psikik për vrasësin e nënës
Gjykata lë në burg pa afat Alkent Birkon. Pranohet kërkesa për ekspertizë psikike të tij
TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, që 35 -vjeçari Alkent Birko të qëndrojë i izoluar në paraburgim deri në përfundim të hetimeve për vrasjen makabre të nënës së tij. Sipas burimeve zyrtare pranë togave të zeza, prokurori i çështjes, gjatë leximit të kërkesës për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë evidentoi para gjykatës se i arrestuari është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është përdorues i lëndëve narkotike, ndaj edhe duhet izoluar në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Vetë i arrestuari ka shprehur pendesë për krimin e kryer, duke ia lënë fajit lëndës narkotike që sipas tij e ka çuar deri në këtë pikë, që të qëllojë mbi nënën. Avokati i caktuar kryesisht kërkoi nga gjykata kryerjen e akt-ekspertimit psikik të tij, pasi përdorimi i tepërt i drogës i ka shkaktuar trauma të rënda psikike. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” 35- vjeçarit Alkent Birko dhe caktimin e dy ekspertëve për kryerjen e akt-ekspertimit psikik të tij. Sipas akuzës, i riu ka kryer veprën penale të “vrasjes me dashje” ndaj nënës së tij 60- vjeçare Shpresa Hoxha nën efektin e drogës. Kryerja e krimit është pranuar nga 35- vjeçari Birko, duke treguar edhe shkakun e goditjes me thikë të nënës së tij. Arrestimi i tij, sipas akuzës, është kryer pak çaste pas vrasjes së kryer nga Birko ndaj nënës së tij në banesën ku jetonin prej kohësh në zonën e “Medresesë” në Tiranë.