E Diel, 1 Nëntor 2026

Matematikani me trup herkuli

 

Një bisedë me Sokolin, kampionin shqiptar të “Body Building”. Një rrëfim për mënyrën e jetesës dhe disa këshilla profesionisti

Sokol Mati, këtë vit, u shpall për herë të pestë kampion i Shqipërisë në “Body Building”, për vitin ’08 - ‘ 09. “Kishte një konkurrencë të lartë, por fitoi stërvitja inteligjente dhe përvoja”, - na tregon Sokoli. Kampioni që nuk na e tregon moshën e vet, ka një trup që shumë ia kanë zili. Jo vetëm në Shqipëri. Në aktivitetet ndërkombëtare ka marrë vendin e III në kampionatin ballkanik në Turqi, ndërsa në Greqi është shpallur kampion për peshën deri 80 kg dhe kam zënë vendin e IV për të gjitha peshat.

E takuam matematikanin me trup herkuli në një palestër private në Tiranë, ku punon edhe si instruktor. Të duket e habitshme që një si ai është diplomuar për Matematikë-Fizikë. Por Sokoli na thotë që habia jonë nuk është e panjohur për të. “Shumë çuditen, por unë u them: “Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë”…

Në çfarë moshe e keni nisur stërvitjen?

E kam filluar në moshën 18 vjeç.

Me çfarë sporti?

Fillimisht jam marrë me atletikë dhe ushtrime të përgjithshme force, pa një program të veçantë për body building, se në atë kohë nuk kishte njohje për këtë sport.

Në ’91-shin emigrova në Greqi, ku nisa njohuritë e para për këtë sport në një palestër moderne. Sot edhe në Tiranë ka shumë të tilla.

Sa orë në ditë stërviteni?

Stërvitja, shkencërisht, nuk duhet të zgjasë më shumë se 45- 50 minuta dhe unë kaq stërvitem me pesha.

Cila është dieta për të pasur një trup si ky i juaji?

Dieta në sportin e body building është ndryshe nga dieta e zakonshme. Ajo është gjithmonë e studiuar shkencërisht. Ne e zbatojmë dhe e përshtasim në bazë të ndërtimit trupor që kemi (peshë, gjatësi, masë yndyrore) që kemi në trup.

Heqim nga përdorimi karbohidratet e këqija (ëmbëlsira, të skuqurat, bukën dhe rrallojmë kripën). Eleminoj çdo gjë që ka në përmbajtje sheqer. Pijmë sa më shumë ujë, përdorim karbohidrate me fibra me glicemi index të ulët, siç janë tërshëra, patatja, orizi kaf, nga proteinat, të bardhat e vezës, fileto pule, konservë ton në ujë dhe nga yndyrnat, gjalpë kikiriku, bajame të thata, avocado, ananas. Ndërsa nga të gjelbrat, spinaqi dhe brokoli

Ka ndonjë sekret tjetër ky sport?

I gjithë sekreti i këtij sporti është se ai ndryshon nga sportet e tjera. Body building është edhe shkencë dhe art dhe sport. Shkencë, sepse merret me sekretet e dietës. Art, performancë e lëvizjeve, harmonia e muskujve. Sport, stërvitja që bën me pesha

Një trup si ky, ka vetëm të mira, apo edhe të këqijat e veta?

Çdo sport ka të mirat dhe të këqijat e veta. Edhe body building ka të këqijat e tij.

Që janë..?

Përmbledhtazi janë: dieta, veshja, mundimi.

Cilat janë reagimet e njerëzve kur ju shohin për herë të parë?

Reagime ka shumë, por gjithmonë ato janë pozitive. Më përgëzojnë për këtë arritje dhe janë të interesuar të dinë sesi mund të arrijnë të kenë një trup të tillë.

E si u përgjigjesh?

Zakonisht u them: “Trupi nuk është një libër leximi dhe pa mundim s’ka fitim”.

Keni qenë ndonjëherë i shëndoshë?

Nuk kam qenë asnjëherë i shëndoshë, pasi jam marrë shumë me vrapime të gjata, pra kam ardhur nga sporti i atletikës

Pasaportë

Mosha: Sportistët dhe artistët nuk kanë moshë

Pesha: Gjatë garave 80- 83, para garave 95- 100

Gjatësia: 1,73 cm

Gjendja civile: Beqar

Vendlindja: Tepelenë

Arsimimi: Shkolla e lartë Matematikë- Fizikë

Horoskopi: Virgjëresha

BOX

Pesë këshilla nga Sokoli për ata që duan të kenë një trup të mirë?

1.Të shkojnë në stërvitje në mënyrë sistematike

2.Të dëgjojnë këshillat e instruktorit

3.Mos të stërviten më shumë se 40 minuta në ditë (me pesha)dhe jo më shumë se 4 herë në javë

4.Eleminoni të skuqurat dhe ëmbëlsirat (çdo gjë që ka përmbajtje sheqeri)

5.Mos përdorni steroide ose hormone (kanë shumë efekte negative)

Gjendja fizike e disa politikanëve, sipas Sokolit

Sokoli është nga ata që i njeh njerëzit nga konstrukti i trupit. E shfrytëzuam eksperiencën e tij për t’i bërë një kuic paksa të veçantë. E pyetëm se çfarë mendonte për gjendjen fizike të disa politikanëve të vendit, duke gjykuar në bazë të pamjes së tyre. Ja përgjigjet e Sokolit:

Bamir Topi

Duke vlerësuar performancën fizike, mendoj se ka nevojë për stërvitje, të paktën 3 herë në javë. Në rast se nuk mundet, domosdoshmërisht, i duhet krosi në natyrë.

Sali Berisha

Bën mu që është i përkushtuar më shumë me politikën. S’ka lidhje fare me sportin. Si mjek që ka qenë, di të ruajë përmasat e trupit, kjo ndoshta për faktin se di të kontrollojë mirë ushqimin që konsumon.

Edi Rama

Si njeri që vjen nga bota e sportit është mirë fizikisht. Por ka nevojë të përkushtohet disa orë më shumë në javë me stërvitje.

Jozefina Topalli

Në aparencë duket mirë, por paksa e ngrirë. Do t’i sugjeroja pistë vrapimi.

Fatos Nano

Këtij i duhet ta fillojë çdo gjë nga “A”-ja, që nga ushqimi e deri tek stërvitja.

Erjon Braçe

Është mirë në aparencë, por ka nevojë të ushtrohet. Do t’i sugjeroja 3 herë në javë me pesha, që të ketë edhe pak forcë fizike, veç forcës së zërit.

Lulzim Basha

Ka nevojë për stërvitje. Problem këmbët e holla dhe barku. Nuk mund ta mbulosh barkun gjithmonë me pallto. Një trup i bukur duket edhe më i bukur kur stërvitet.

Bashkim Fino

Është ai që ka më shumë nevojë nga të gjithë e që më ka rënë më shumë në sy. Ky zotëri ka nevojë urgjente për dietë dhe për stërvitje. Madje këtij do t’i thoja që ka nevojë për instruktor personal.

Ilir Meta

Konstrukti i Metës është i njëjtë me konstruktin e një peshëngritësi, megjithëse e ka lënë këtë sport. Meta ka nevojë për një dietë të kontrolluar. Veç kësaj, ai duhet të stërvitet 3 herë në javë, me 30 minuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›