Ekspertimi i MIG-ut, 15 specialistë ushtarakë pa shpërblyer
22/02/2005 Mbeten pa paga afro 15 specialistë ushtarakë, të cilët verifikuan të gjitha pjesët e avionit MIG-19, me të cilin u rrëzua dhe humbi jetën, shtatorin e vitit të kaluar, piloti Jani Tarifa. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë, të cilat thanë se janë rreth 15 ekspertë, të cilët kanë verifikuar të gjitha pistat teorike dhe praktike të hetimit lidhur me rrëzimin e avionit. Sipas këtyre burimeve, këta specialistë të xhenios kanë punuar për disa muaj dhe janë pajtuar nga Prokuroria e Tiranës për të kryer ekspertimet kundrejt kuotave të paracaktuara për çdo orë. Por duket se mungesa e fondeve i ka lënë ata pa pagën, të cilën meritojnë për punën disa mujorëshe. Nga burime të besueshme pranë organit të akuzës, mësohet se ata nuk janë paguar për orët që kanë punuar dhe se u është pohuar se nuk ka fond për të përmbushur detyrimet. Por burimet sqarojnë se, zyrtarët e Prokurorisë i kanë siguruar ekspertët se sa të sigurojnë paratë e nevojshme, do t’i paguajnë për çdo orë pune që kanë kryer. Prokuroria e Tiranës përzgjodhi specialistë, të cilët nuk vareshin drejtpërdrejtë nga Ministria e Mbrojtjes për kryerjen e ekspertimeve, të cilët ishin në pension. Kjo për shkak të shmangies së ndonjë njëanshmërie të mundshme gjatë hetimit. Nga burimet mësohet se, në bazë të eksperimenteve të kryera, është konkluduar se një krah i avionit ka pasur defekt teknik në pajisjet e aerodinamikës dhe për këtë pasojë piloti ka humbur kontrollin. Por, ende Prokuroria nuk ka rritur të gjejë shkaqet që kanë sjellë këtë defekt teknik. Piloti Jani Tarifa humbi jetën, pasi u rrëzua me avionin që drejtonte në shtator të vitit të kaluar. Rreth 45 sekonda pas ngritjes, avioni pësoi disa shmangie dhe një trajektore të thyer, duke fituar lartësi jashtë normales. Më pas avioni u rrëzua, duke u shkrumbuar dhe si pasojë shkaktimin e vdekjes së pilotit Jani Tarifa, që, tashmë është shpallur “Dëshmor i Kombit”.