E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza, 11 vite pas masakrës së Cërrikut

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë është duke përfunduar hetimet e saj për ngjarjen e ndodhur më 23 maj 1997, ku pas një përplasje të organizuar me armë mes forcave të rendit dhe grupeve të armatosura në Cërrik, u vranë 6 gardistë dhe u plagosën rreth 14 efektiva policie. 

TRAZHGIM SOKOLAJ

Kur kanë kaluar 11 vjet nga kjo ngjarje e rëndë, gardistët dhe efektivat e policisë që mbetën të plagosur janë thirrur për t‘iu nënshtruar një verifikimi me qëllim hartimin e raporteve mjeko-ligjore lidhur me dëmtimet që ata kanë pësuar. Këto raporte mjeko-ligjore që do të hartohen mbi bazën e pasojave të mbetura nga plumbat në trupin e 11 efektivave të policisë dhe Gardës, do të paraqiten si prova në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, në gjyqin kundër nëntë të pandehurve si organizatorë të masakrës së Cërrikut. Për shkak të gjendjes së acaruar dhe daljes së institucioneve thuajse jashtë funksionit gjatë trazirave të vitit 1997, gardistët dhe efektivat e policisë nuk kanë mundur atëherë t’i nënshtroheshin ekspertizës shkencore, që do të dokumentonte dëmtimet që ata pësuan gjatë tentativës për të hyrë në Cërrik me qëllim vendosjen e rendit dhe qetësisë në këtë qytet, që kishte rënë në duart e grupeve të armatosura. Në kushtet e mungesës së raporteve mjekësore për plagët që policët dhe gardistët pësuan në përleshje me grupet e armatosura, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur t’i realizojë ato gjatë këtyre ditëve. Një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në operacionin e policisë në Cërrik janë paraqitur pranë institucioneve përkatëse dhe mjekët kanë verifikuar gjurmët e dëmtimeve dhe plagosjeve të tjera trupore, të cilat janë hedhur në raporte mjekësore të veçanta, të cilat do të administrohen në dosjen penale të masakrës së Cërrikut. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke kryer veprimet e fundit hetimore për këtë çështje, e cila së shpejti pritet të dërgohet në gjykatë për shqyrtim me nëntë persona të akuzuar si organizatorë dhe autorë të masakrës mbi 6 efektiva të Gardës dhe plagosjen e 14 të tjerëve.
Masakra e Cërrikut
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, masakra e Cërrikut ka ndodhur mëngjesin e 23 majit 1997. “Ngjarja dyshohet se është organizuar në bashkëpunim mes personave tashmë të arrestuar: Roland Xhepaxhiu, Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, Entel Gashi, Luftar Toska dhe Skënder Cani, të drejtuar nga ish-drejtuesit e Komitetit të Shpëtimit Publik, Met Bozi e Llazar Bicja. Një autokolonë e policisë, e cila shoqërohej nga autoblinda të Gardës së Republikës ka hyrë në qytetin e Cërrikut. Një ditë më parë grupet e armatosura në këtë qytet kishin thyer e grabitur rajonin e policisë dhe për këtë qëllim policia e Garda janë nisur nga Tirana për të vendosur kontrollin në Cërrik. Autorët e ngjarjes, siç duket të informuar për kohën dhe itinerarin e lëvizjes së policisë dhe Gardës, kanë zënë pritë të armatosur rëndë. Policia dhe Garda janë gjendur të sulmuar në befasi, kur grupet e armatosura qëlluan nga tarracat e pallateve në dy anët e rrugës ku po kalonte autokolona e forcave të rendit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes palëve për disa orë, kanë mbetur të vdekur në vend gjashtë gardistë, ndërsa janë plagosur 14 persona të tjerë, gardistë dhe efektiva policie. Pas arrestimit të personave të dyshuar për këtë ngjarje në vitin 2007, Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat e “organizimit e drejtimit të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta më shumë se një herë”, “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta më shumë se njëherë të mbetur në tentativë”, dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Të akuzuarit

Met Bozi
Llazar Bicja
Roland Xhepaxhiu
Arjan Toska
Alban Toska
Bujar Buzani
Tomor Buzani
Entel Gashi
Luftar Toska
Skënder Cani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›