E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për vitin e ardhshëm shkollor

Ilir Beqja 

13 qershor 2008 Në datën 13 qershor 2008 përfundoi viti shkollor 2007–2008 për të gjithë nxënësit e arsimit të detyrueshëm në Shqipëri. Mësuesit i përcollën nxënësit duke u thënë mirëardhshi në shtator. Pyeta disa nxënës, nëse u kishin thënë se në ç’datë do t’u fillonte viti i ardhshëm shkollor. Asnjë prej tyre nuk dinte ndonjë gjë. E shtova kureshtjen dhe pyeta disa mësues ...As ata nuk më thanë ndonjë gjë të saktë, përveçse filluan të hamendësojnë për datën e fillimit të vitit shkollor 2008–2009. Dikur ishte më e thjeshtë. Të gjithë e dinim në ç’datë fillonte viti shkollor. Shtatori 2008, është shtatori i fundit i këtij mandati qeverisës. Fatkeqësisht duhet të pranojmë se as kjo qeveri dhe as kjo Ministri e Arsimit nuk ia dolën që të vendosin një standard të ri, të munguar që prej 17 vjetësh. Është fjala për një standard që të gjithë shqiptarët emigrantë e provojnë në vendet ku jetojnë. Është fjala për standardin që në përfundim të vitit shkollor, nxënësve u njoftohet data e saktë e fillimit të vitit të ardhshëm shkollor. 
Shtator 2007
Por me çfarë tjetër do të ndeshen nxënësit në fillim të vitit të ardhshëm shkollor. Të gjithëve u kujtohet se çfarë situate kaotike dhe amullie përballuan prindërit dhe nxënësit në shtator të vitit 2007. Radhë të gjata për blerjen e librave shkollorë, sorollatje në disa librari, mungesë të pjesshme të librave në treg. Aspekti më i rëndë i shpërndarjes së teksteve vitin e kaluar ishte procesi i rimbursimit. Përveç vuajtjeve të javëve të para, tejzgjatja e procesit të shpërndarjes së librave si dhe e rimbursimit të shpenzimeve të blerjes së tyre, provoi që i gjithë procesi ishte një DËSHTIM me germa të mëdha. Opinioni është njohur me faktin që vetëm në fillim prillit 2008, pra 8 muaj pas fillimit të vitit shkollor, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Arsimit deklaruan përfundimin e procesit të rimbursimit. Në mënyrë krejt të pamotivuar, në atë shfaqje publike ishte prezent edhe drejtori i Postës Shqiptare. Administrator ky i një shoqërie publike, e cila vijon të shfrytëzojë me pa të drejtë, një pozicion monopolist duke dhunuar konkurrencën e lirë. Në shfaqjen publike, vetë drejtuesit e ministrisë pranuan dështimin. Ata thanë që arritën të shpërndajnë vetëm 90% të fondit. Më parë kishin deklaruar që fondi në dispozicion ishte 2.5 milionë EUR. Llogari të thjeshta tregojnë se për 460 mijë nxënësit e sistemit të detyrueshëm të vitit shkollor 2007–2008, rimbursimi mesatar nuk ka kaluar 600 lekë. Ndërkohë kostot e librave në shtator 2007 kanë lëvizur, për shembull, nga 650 lekë në klasën e dytë në 1800 lekë në klasën e tetë. Pra, të gjitha mënyrat e përdorura për të shitur si arritje rimbursimin e librave tregojnë qartë se në vitin shkollor 2007–2008 librat janë rimbursuar vetëm 50%.
Shtator 2008
A ka gjasë që në shtator 2008 të ketë përmirësime? Procesi i rimbursimit rregullohet me vendim të qeverisë. Qeverisja aktuale e PD, vendimin e parë, me numër 144, e ka nxjerrë në 8 mars 2006. Në 18 prill 2007, me vendimin numër 260, si edhe në shumë çështje të tjera bën “anulim loje”. Shfuqizohet vendimi i 2006 dhe krijohet një skemë e re, të cilën koha, nëse nuk e mbeti në klasë, e kaloi me “brekë nëpër këmbë”. Në 16 prill 2008, qeveria ka nxjerrë një vendim të ri, ku rreket të arnojë vendimin ekzistues. Për fat të keq nuk arrin të ndryshojë thelbin. Pasi, dështimi i vjetshëm erdhi sepse procesi ishte inxhinieruar keq. Për të përmirësuar procesin, duhet i një riinxhinierim i plotë. Në parim, përpjekja për të futur kulturën që shteti rimburson vetëm kundrejt një dokumenti fiskal duhet përshëndetur. Por, realizimi i saj në një mjedis të caktuar, kërkon disa prerekuizita. As në shtator 2007, as sot dhe as në shtator 2008 këto prerekuizita nuk ishin dhe nuk do jenë gati. Në këto rrethana, detyrë e një qeverisje të përgjegjshme do të ishte nxitja e përmirësimit të mjedisit dhe jo faturimi i mungesës së infrastrukturës tek qytetarët e vendit të saj (kujtoni vetëm 10% të fondeve të parimbursuara – ose 250 mijë EUR). Arnimet e vendimit të 16 prill 2008 nuk të japin asnjë shpresë. Madje, po të integrosh tekstet, rezultojnë edhe fjali të pakuptimta, si fjalia e tretë e pikës 2. Sidoqoftë, thelbi mbetet tek ambiguiteti i pikës 4 të vendimit. Po citoj – “Shtëpitë botuese i shesin tekstet e certifikuara në mjedise shkollore. Në qytete, të cilat kanë librari, shitja e teksteve mund të bëhet edhe në librari”.
Pra, prindërit dhe nxënësit shqiptarë i pret po ai kalvar i vjetshëm edhe në shtator 2008. Dhe ç’është më e keqja, me shumë gjasë, përsëri në shtator – tetor 2008, 500 mijë prindër shqiptarë (nga shtator 2008, në arsimin e detyrueshëm janë nxënësit deri në klasën e 9-të) do të shpenzojnë rreth 6 orë (të paktën radhë në dy librari të ndryshme nga 3 orë secila) për të blerë librat. Këto ditë pune të shpenzuara në radhë librarish, do t’i kushtojë ekonomisë shqiptare 2,5 milionë EUR nëse do të llogarisim mbi pagën minimale në shkallë vendi (kryeministri ka premtuar 17 mijë lekë në muaj) ose 4.4 milionë EUR nëse do të llogarisim me pagën mesatare të deklaruar nga INSTAT. Por ekonomia kombëtare do të vazhdojë të humbë edhe për arsye të tjera.
Një nga arsyet e mungesës së teksteve në treg, në shtator 2007 ishte fakti që librat u porositën vonë. Për industrinë aktuale të shtypshkrimit të librit, tirazhi vjetor prej të paktën 2.5 milionë libra përbën më shumë se gjysmën e volumit vjetor. Edhe këtë vit, deri në fund të muajit maj akoma nuk ishin përcaktuar tekstet. Pra, imagjinoni një industri e tërë që gjysmën e volumit vjetor të punës, duhet ta realizojë në 2 muaj kohë. E pamundur. Për pasojë, edhe këtë vit, disa botues do të drejtohen në tregjet fqinjë, ku porositë e teksteve shkollorë vendorë, të paktën, jepen në dy muajt e parë të vitit. Kështu, mungesa e vizionit të drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, do të bëjë që edhe tekstet shkollore të fëmijëve tanë do t’i importojmë. A ka ndonjë vend ku vetë drejtuesit e shtetit punojnë që të thellohet deficiti tregtar i vendit të tyre? A ka ndonjë vend ku vetë drejtuesit e shtetit punojnë që t’u japin punë punëtorëve të huaj, duke ia hequr punën punëtorëve vendas? Me sa duket paska në BLU ALBANIA.  
Vendimi i prillit 2008 ka edhe absurde të tjera. Përpiqet të krijojë një mekanizëm që procesi të mos cenohet nga luhatjet e çmimeve. Por, shikoni se si e gjen zgjidhjen sipas pikës së re 4.1 që po e citoj – “Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, indeksohen, çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, me çmimin e letrës dhe të përbërësve bazë të kostos së tyre, të publikuara nga INSTAT”. Ç’lidhje ka inflacioni, qëllimi pse matet, metodologjia me të cilin matet me koston e një libri. A di njeri se kur ka publikuar ndonjëherë INSTAT çmimin e importit të letrës, apo zërat bazë të kostos së librave, kur vetë vendimi nuk i përcakton këta zëra.
 Shtator 2004
Duhet pranuar që deri në shtator 2004, procesi i prokurimit të librit shkollor ka qenë nga më të përfolurit. Ka akoma shtypshkronja që janë kreditore ndaj buxhetit të shtetit që nga ajo kohë. Edhe produkti i atyre prokurimeve linte për të dëshiruar. Në mes të vitit shkollor fletët fillonin e shqiteshin. Në disa tekste nxënësit shikonin që dielli apo qielli kishin ngjyra të tjera nga ato që kanë në natyrë. Drejtuesit aktualë të Ministrisë së Arsimit u përpoqën që të shmangin motivet që e bënin të përfolur punën e tyre. Në parim përpjekja është e admirueshme. Por, kjo s’mund të bëhet nga çeta aktuale qeverisëse. E paaftë dhe pa vizion. Përpjekjen për të shmangur përfoljen, shqiptarët e paguajë me 5 milionë EUR në vit, ose po t’ua lejojmë me 20 milionë EUR në një mandat qeverisës.
Deri në shtator 2005, asnjë nga nxënësit nuk paguanin asgjë për tekstet shkollore. Me ardhjen e PS-së në pushtet nuk është më kështu. Provuam që në vitin 2007–2008 rimbursimi nuk kaloi 50%. Për vitin 2008–2009, sipas buxhetit të shtetit është alokuar po ajo shumë. Me të paktën 10% më shumë nxënës dhe me inflacion mbi 4%, rimbursimi do të bjerë në rreth 40%.
Në vend të mbylljes
Sa më lart, është një tjetër shprehje e paaftësisë së qeverisë dhe e vuajtjeve dhe kostove shtesë që kjo qeveri po u krijon shqiptarëve. Sa më lart dëshmon që qeveria nuk ka bosht dhe ndryshon çdo vit rregullat e veta. Sa më lart tregon se ministrat e kësaj qeverie, me udhëzimet e tyre në mënyrë të paligjshme përcaktojë se sa duhet të paguajnë apo rimbursohen shqiptarët. Qoftë i fundit shtator vuajtjesh ky i vitit 2008, për nxënësit dhe prindërit shqiptarë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›