E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenar Ahmeti shqiptar si Shaifudin Ahmeti në Indi?

Kristaq Çoka 

Kronika gjyqësore e kryeqytetit e pasuroi menynë e saj ditët e fundit me një kazus “historik”. Asortimenti novator? Krenar Ahmeti, shef i Komisariatit të Qarkullimit Rrugor i Tiranës, pezullohet nga detyra në Shkallën e Parë dhe rikthehet sërish në punë në të dytën. Mbase, sepse masa e sigurimit personal e karakterit ndalues, që e pezulloi atë përkohësisht nga ushtrimi i një detyre a shërbimi publik, edhe pse tashmë ka një verdikt të ndryshëm të dhënë nga gjykata, u duk qartë se ishte në përpjesëtim të zhdrejtë me shkeljen për të cilën akuzohet, si dhe me kriteret që janë zbatuar dhe zbatohen rëndom nga gjykatat tona në raste të tjera, haptazi më të rënda dhe me rrezikshmëri tejet më të lartë shoqërore se ai për të cilin po flasim. Nëse nuk më tradhton kujtesa, në analet tona gjyqësore ky është rasti i parë që kalon përmes këtyre procedurave. Fatmirësisht, në këtë rast, gjyqësori, edhe pse me pak vonesë, tregoi se nuk shkon i gjithë sipas rregullave të  korporatizmit profesional dhe jezuitizmit juridik. Ai tregoi se ka ende forca të qëndrojë fort te sundimi i objektivitetit dhe klemencës përballë një rasti të fryrë dhe të paragjykuar nga publiciteti.
Por pa bërë avokatin dhe pa marrë në mbrojtje veprimet e panjohura eventuale të Krenar Ahmetit si drejtues i qarkullimit rrugor të Tiranës, nuk duhen anashkaluar edhe disa gjëra, jo pak gjëra të dukshme, që lidhen me të. Ata që e njohin, të gjithë ata, thonë se Krenar Ahmeti është në kuptimin e plotë të fjalës një “self made man”, që e ka çarë me energjitë dhe idealizmin e tij, si rrugën e shkollimit, ashtu edhe të karrierës në polici. Ai është një histori suksesi personal në shkollim dhe në profesion, ku ka gërshetuar përkushtimin me vizionin, sakrificën me parimet, objektivizmin me përballjen pa kompromis me shkelësit e ligjit, cilido qoftë reputacioni apo statusi i tyre. Ky është mendimi i përgjithshëm i të gjithë atyre që e kanë njohur Krenarin si student, si koleg, si vartës dhe si shef.
Kur mori drejtimin e trafikut rrugor të Tiranës dhe për këtë “sakrifikoi” edhe një shkollim elitar në Akademinë gjermane të Policisë, jo pak vetë u treguan skeptikë. Aty ku kishin dështuar një radhë burrash me spaleta të rënda e vite të gjata në qarkullimin rrugor, dukej pothuaj e pabesueshme që t’ia dilte mbanë Krenari, “buzëqumësht”.
Në fakt, Tirana me infrastrukturën e kursyer dhe pa parkingje të mjaftueshme, me një fluks automjetesh të të gjitha kategorive, jo vetëm të kryeqytetit, por nga e gjithë Shqipëria, me semaforë që më shumë nuk punojnë sesa punojnë, me përdorues rruge, këmbësorë, çiklistë, çiklomotoristë, motoçiklistë e shoferë, jo rrallë me sjellje tipike aksidentologjike, me pak fjalë, një kaos e papërgjegjshmëri qarkullimi dhe me probabilitet të lartë traumatologjie rrugore, kërkon mundimin e shtatë punëve të Herkulit. Hipni në verandën e “Tirana International Hotel” dhe vështroni sheshin “Skënderbej” për të kuptuar sesa rrezikshëm sillen të gjithë përdoruesit e rrugës!
Dhe me një impenjim personal, jashtë të gjitha limiteve të orarit zyrtar, duke sakrifikuar edhe familjen, me një rikonceptim të organizimit të punës e shërbimeve dhe me rimotivim të efektivave të policisë rrugore, me zbatimin rigoroz të masave administrative si dhe me një punë të palodhur sensibilizuese, deri dhe pedagogjike ndaj përdoruesve të ndryshëm të rrugës, ai arriti ta fitojë bastin. A nuk i mësoi Krenari të gjithë të vendosnin mrekullinë e 1959-ës të Nils Bohlin të “Volvo-s”, pra rripin e sigurimit, në 2008? A nuk i edukoi motoçiklistët të vendosin skafandrin, të cilën “për të qenë në rregull me ligjin”, e mbanin të varur në timonin e mjetit të tyre?! A nuk…? Mund të vijojmë me dhjetëra pyetje të tjera, por rrjedhshmëria relative në trafik që ndeshet aktualisht në Tiranë dhe ulja e ndjeshme e aksidenteve, janë në lartësinë e një aksiome.
Nga ana tjetër, duhet ta pranojmë me keqardhje të sinqertë se në përgjithësi mentaliteti ynë nuk e ka fort qejf rregullin, kufizimin. Kjo ndoshta rrjedh nga keqkuptimi i lirisë dhe i të drejtave. Ndoshta edhe nga individualizmi i skajshëm. Nga mungesa e tolerancës dhe e ndërveprimit, duke i dhënë përparësi vetes mbi të tjerët. Aq më keq kur kjo manifestohet më dukshëm tek ata individë që kanë njëfarë statusi social, profesional apo publik.
Natyrshëm që në përkushtimin e tij profesional dhe në vendosmërinë për zbatimin e rregullit dhe të ligjit pa diferencime, Krenari dhe ekipi i tij kanë “prodhuar” të pakënaqur, e kanë zgjeruar perimetrin e “armiqve”.
Tek hedh mbi letër këto radhë, më vijnë në mendje si asociacione automatike, disa raste që kanë ndodhur në Perëndim, aty ku përbetohemi të gjithë se do shkojmë:
Xhorxh Stefanopulos, njeriu më i rëndësishëm i Presidentit Klinton, për një parkim dubël në dalje të një restoranti në Uashington D.C. u shoqërua në Komisariatin më të afërt, ku i kaloi disa orë nën shoqërinë e dilerëve të rëndomtë dhe prostitutave të rrugës. Dhe mos harroni, ishte kryekëshilltar i Presidentit të SHBA!
Helmut Kol, kur ishte Kancelar i Gjermanisë, tek drejtonte automjetin e tij privat bashkë me bashkëshorten e tij, tashmë të ndjerë, në bord, u gjobit nga polici sepse nuk kishte vënë… rripin. Dhe Koli mund të kishte si përligje përmasat e stërmëdha të trupit të tij. Por atje bëhet fjalë për “dojç kulturë” dhe jo për “doç kulturë”…
Pa harruar edhe Bernard Kushnerin, të cilit në shkurt 2005, në autostradën A40 në Haute Savoie, iu hoq patenta në vend nga patrulla e xhandarmërisë franceze për tejkalim shpejtësie.
Po nga Franca vjen edhe një shembull ndëshkimi, ose ndëshkim shembullor: Shoferit të Nikola Sarkozisë, kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në autostradën A11, duke shkuar në drejtim të Parisit, iu hoq patenta katër muaj dhe u gjobit me 500 euro… Dhe këtë ia bënë policët francezë, shoferit të bosit të tyre…
Epo atje ka tjetër mentalitet dhe raport me ligjin, mund të thotë shumëkush. E vërtetë, por ka edhe shembuj afër pranë nesh. Jo larg, por në Shkup. Kur ishte ministër i Brendshëm i Maqedonisë, bashkëshortja e Hari Kostov, u gjobit me një shumë ekuivalente prej 25 eurosh për parkim të gabuar. Dhe fletën e gjobës, ashtu si dhe dëftesën e pagesës së saj, Hari Kostov e mban sot e kësaj dite në kuletë dhe e nxjerr prej andej sa herë që i duhet për të treguar se “në Maqedoni funksionon shteti ligjor dhe ligji është i barabartë për të gjithë”.
Por rasti i Krenarit duket se afron më shumë me një rast në Indi, rastit të një inspektori, që për ironi ka të njëjtin mbiemër, quhet Shaifudin Ahmeti. Sipas gazetës “Hindustan Times”, Ahmeti i Indisë ndaloi në Rançi, në lindje të vendit, lojtarin e famshëm të kriketit, Mohanden Seig Doni, sepse vetura e tij supersportive i kishte xhamat e errësuar, çka nuk lejohet nga ligji indian. Sigurisht që pati debat midis tyre dhe pas pak kohësh inspektorin Shaifudin Ahmeti e transferuan në filifistun. Filifistun Indie… Ky reagim i autoriteteve indiane u shpalos publikisht nga deklarata e Kryeministrit të shtetit të Xharkandit, (India ka 28 shtete): “VIP-at kanë të drejtë për një trajtim të veçantë nga policia rrugore”!... Kjo ndoshta përfaqëson edhe një pjesë të shpjegimit pse në Indi, sipas OBSH, në dhjetëvjeçarin e fundit aksidentet rrugore janë rritur 79 për qind…
Tani lind pyetja: Mos lipset të jetë simetrik fati i Krenar Ahmetit në Shqipëri me atë të Shaifudin Ahmetit në Indi? Të gjithë i dimë pikat e horizontit dhe pikën e duhur ku duhet të orientohemi. Kjo ka vlerë edhe për organet e drejtësisë. Sidomos për organet e drejtësisë. Sepse ka nen 242 të KPP e 250 të KP, por ka dhe nene 236, 239 e 242 të Kodit Penal. 
Një gjë është e sigurt: ky vend e kjo shoqëri ka shumë nevojë për Krenarin dhe për njerëz si ai dhe jo e kundërta. Fatmirësisht shenja e parë e mospërqasjes me kazusin indian u realizua.
* Master i “Kuadrit Ligjor dhe
Politikave të Sigurisë”, Universiteti
“Jean Moulin III”, Lion, Francë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›