E Diel, 1 Nëntor 2026

Vapa, 200 fëmijë me komplikacione në spital

Dyndje në urgjencat e Pediatrisë dhe Kardiologjisë. 

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm fluksin e pacientëve që paraqiten për të marrë asistencë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”. Dje tek Pediatria numri i fëmijëve me komplikacione nga vapa arriti në 200. Pjesa më e madhe e tyre sipas mjekëve, janë paraqitur në urgjencë me të vjella, diarre e temperaturë. Bluzat e bardha këshillojnë prindërit të bëjnë shumë kujdes me kondicionerët, pasi ndryshimi i shpeshtë i vendeve me temperatura ekstreme shkakton deri në ftohjen e rëndë të të vegjëlve. Fluks ka pasur dje edhe në spitalin Infektiv. Numri i të sëmurëve me helmime nga ushqimet arriti në 50 raste. Por ata kanë marrë trajtimin mjekësor e më pas janë rikthyer në shtëpitë e tyre. Numri i vizitave në këto ditë të nxehta rezulton të jetë i lartë dhe në shërbimin dermatologjik, ku pacientë të moshave të ndryshme paraqiten me probleme në lëkurë. Mjekët pohojnë se, ky fluks konsiderohet normal për stinën dhe për momentin është i përballueshëm prej tyre. Ata nënvizuan se pacientët e paraqitur janë ambulatorë dhe pasi marrin konsulencë mjekësore dhe këshillat përkatëse, largohen në shtëpitë e tyre. Por piku i të nxehtit nuk ka mbërritur ende dhe numri i urgjencave pritet të rritet më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›