E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ndryshimet kushtetuese? Debat i mbyllur

 

Kreu i PS-së i ka kthyer përgjigje publike Metës, duke vlerësuar se ndryshimet morën mbështetje popullore

Partia Socialiste e konsideron të mbyllur debatin për ndryshimet kushtetuese. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në mënyrë indirekte i ka kthyer dje përgjigje letrës së ish-aleatit të vet, kreut të LSI-së, Ilir Meta, duke bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese kanë marrë mbështetjen e duhur popullore. Duke i konsideruar deputetët si përfaqësues të popullit, Rama ka vlerësuar se paketa e amendamenteve kushtetuese ka marrë dhe mbështetjen popullore. "Parlamenti është shprehur një herë për ndryshimet kushtetuese dhe ai është shprehje e popullit sovran", - u shpreh dje Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve përse ai nuk bashkonte votat me LSI-së për një referendum popullor për të ligjëruar këto ndryshime. Nga ana tjetër ai ka vlerësuar si domosdoshmëri realizimin e një bashkimi të ri, përtej hatërmbetjeve të politikës së ditës të disa liderëve politikë. Sipas Ramës, PS është e vendosur për ta realizuar këtë bashkim, si e vetmja mundësi për të fituar zgjedhjet e vitit 2009 dhe për t'i dhënë fund njëkohësisht tranzicionit të gjatë 17-vjeçar. "Bashkimi i ri, është një nocion i gjerë, është një nocion i trajtuar dhe i hedhur në mjedisin publik nga ne, qysh në shtatorin e shkuar. Është nocioni bazë i Dialogut me Shqipërinë, është filozofia e një politike, që nga duart e politikanëve, duhet të shkojë në duart e qytetarëve. Që nuk duhet të mbrojë interesat e një grushti politikanësh, por interesat e gjitha grupimeve shoqërore, duke mbrojtur qytetaret e qytetarët e këtij vendi, pikërisht për një Shqipëri për të jetuar me punë të ndershme. Është një nocion i kapërcimit të politikës së vjetër të pazareve të vogla dhe i daljes në hapësirën e madhe të Dialogut me Shqipërinë", - tha Rama. Nisur edhe nga ecuria e deritanishme e turit "Dialog me Shqipërinë" dhe përpjekjet e socialistëve për të ndryshuar, kreu i selisë rozë ka shprehur besim se PS do t'i fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. "Partia Socialiste është forca që do të fitojë zgjedhjet e 2009, sepse është forca që po ndërton çdo ditë rrugët e shpresës, rrugët e zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit, dhe që po ndërton çdo ditë një koalicion të madh, që është një koalicion mes partish, por është edhe një koalicion mes politikës dhe qytetarëve, duke e kthyer politikën në një instrument në duart e çdo qytetari, që dëshiron përmes Partisë Socialiste, të bëjë të dëgjohet zëri i vet dhe që në programin tonë të ri, do të gjejë rrugën e vet", - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›