E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza, Dajti vrau me një plumb në zemër Ledion Marën

Ledion Mara është vrarë me një plumb në zemër nga Dritan Dajti. Një predhë e pistoletës "Glock" është gjetur në trupin e pajetë të 23-vjeçarit. Ekspertët e laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme kanë përcaktuar se Dajti, krahas katër punonjësve të policisë, ka qëlluar edhe shokun e tij. Ende nuk dihen motivet e një ekzekutimi të tillë, ndërsa ka akoma dyshime se Mara është vrarë nga pakujdesia. Ndërkohë, ekspertiza ka përcaktuar se Dritan Dajti pasditen e 7 gushtit, gjatë operacionit të policisë për arrestimin e tij, ka qëlluar me dy pistoleta, një në secilën dorë. Sipas ekspertëve që kanë bërë këqyrjen dhe analizimin e mbetjeve të barutit të gjetura në duart e të pandehurit, është konstatuar se në dy duart i dënuari me 25 vjet burg ka faktor plotësues të barutit. Kjo provon se ai ka qëlluar me të dyja duart me pistoletat që kishte ditën e 7 gushtit, një "revolver" dhe një "Glock", të cilat u sekuestruan pas arrestimit.
Ditët e fundit kanë mbërritur në prokurori përgjigjet nga laboratori balistik për krahasueshmërinë e gëzhojave të gjetura në vendngjarjen ku u vranë pesë persona. Nga të dhënat ka rezultuar se punonjësit e policisë kanë qëlluar 17 herë, po aq sa Dritan Dajti, i cili i vetëm ka arritur të qëllojë për vdekje katër punonjësit e policisë, si dhe shokun Ledion Mara. Një gjë e tillë vërtetohet nga ekspertizat e mbërritura nga laboratori kriminalistik pranë Ministrisë së Brendshme. Vërtetohet plotësisht se autori i vrasjes së pesëfishtë është Dritan Dajti. Ndërkaq, mbi bazën e këtyre ekspertimeve të mbërritura në prokurori dhe dëshmive të agjentëve që morën pjesë në operacion, hetuesit kanë arritur të ndërtojnë edhe skemën e vrasjeve të ndodhura ditën e 7 gushtit gjatë shkëmbimit të zjarrit mes të kërkuarit Dajti dhe efektivëve të policisë. Sipas prokurorisë, i pari që është qëlluar me plumb në kokë nga dora e Dajtit ka qenë drejtuesi i grupit, Festim Xhani. Po sipas të dhënave policore, i ndjeri Xhani ka pasur kartën e identitetit të policisë në dorë dhe ka shqiptuar fjalët: "Policia, dorëzohuni!", kur është afruar dhe ka hapur derën e parë të pasagjerit të "Tuareg"-ut, ku brenda saj ndodhej i ulur në sediljen e pasme Dritan Dajti. Menjëherë i është përgjigjur me zjarr i shumëkërkuari, duke e qëlluar në kokë anash Xhanin, i cili është rrëzuar përdhe. Pas vrasjes së Xhanit, Dajti është kthyer me 90 gradë në krahun tjetër të dritares së pasme, ku po qëndronte kryeinspektori Saimir Duçkollari, duke shkrepur të dyja pistoletat që mbante në duar në drejtim të tij, dhe duke e lënë të vdekur.
Më pas ka zbritur nga dera e pasme e krahut të djathtë të makinës, ku pak metra pas makinës ka parë "ushtarin" e tij, Ledion Mara, të shtrirë në tokë, duke u lidhur nga agjenti Altin Dizdari. Në drejtim të tyre ka shkrepur dy pistoletat, duke qëlluar agjentin në kraharor dhe Marën në zemër. Një plumb i vetëm është gjetur në trupin e 23-vjeçarit. Si pasojë, të dy kanë mbetur të vdekur. Pas këtyre shkrepjeve, Dajti ka lëshuar pistoletën tip "revolver" në tokë dhe ka qëlluar me pistoletën tjetër tip "Glock" agjentin Kastriot Feskaj, i cili po tentonte të lidhte personin e tretë që shoqëronte Dajtin. Pasi ka qëlluar Feskajn, i shumëkërkuari Dajti ka shkrepur edhe disa plumba mbi një makinë të parkuar aty afër dhe më pas ka filluar të largohet me ecje, në drejtim të plazhit. Nga një derë aty pranë ka dalë një fëmijë, që është qëlluar në ecje e sipër nga Dajti, duke mbetur i plagosur në këmbë. Më pas Dajti ka tentuar të ndërrojë karikatorin e pistoletës "Glock" kur është goditur nga tre plumba të kolegëve të vrarë që kishin marrë pozicione të ndryshme pas makinave. Një plumb e ka qëlluar në krah, një tjetër në kofshën e djathtë dhe plumbi i tretë që e ka neutralizuar Dajtin, i ka kapur fundin e shtyllës kurrizore. Më pas është arrestuar.

Prokuroria

Hetimet kanë përcaktuar se për të vëzhguar dhe ndjekur Dajtin kanë qenë edhe 12 oficerë të policisë

Operacioni i policisë, me tri makina dhe një motor

Drejtuesit e Policisë së Shtetit, në kuadër të informacioneve për vendndodhjen e personit të shumëkërkuar, Dritan Dajti, kishin angazhuar tre automjete dhe një motor për vëzhgimin e tij. Ditën e ngjarjes, më 7 gusht, afër pistës "Iliria" në Durrës ndodheshin, krahas katër punonjësve të policisë të vrarë, 12 efektivë të policisë, të cilët janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ata ndodheshin në një rreze prej 500 metrash nga "Touareg"-u i Dajtit dhe prisnin direktivat nga drejtuesit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se vendngjarja ishte rrethuar nga tre automjete policore, ndërsa motori është përdorur për të vëzhguar personat me të cilët shoqërohej Dritan Dajti. Mësohet se prokurorët kanë filluar punën me sekuestrimin e dokumenteve dhe raporteve të vëzhgimit, si dhe detajet e operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti. Sipas këtyre burimeve, prokurorët kanë kryer verifikimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, dëshmitë e mbledhura nga policia si dhe kanë urdhëruar kontrollin e banesave të të arrestuarit në spital, Dritan Dajti, shoferit të automjetit, Ergest Xhaxhit, si dhe banesën e të vrarit Ledion Mara.

Përtej Lajmit

Analiza e opozitës
Zhvillimet brenda partisë opozitare më të madhe në vend, e cila kërkoi votat për të kryer një qeverisje më të mirë, nuk mund t‘i shpëtojnë fokusit të "Përtej Lajmit". Çdokush prej atyre që kishin nga një votë në këtë kongres të jashtëzakonshëm, po të kishin dalë si fitues nga zgjedhjet, sot mund të ishte drejtor i Përgjithshëm policie a burgjesh, ministër i Brendshëm a Drejtësie, kryeprokuror e pse jo edhe kryegjyqtar. Debati i madh që ka plasur brenda kësaj partie, ka në thelb këndvështrimin e të kuptuarit të zgjedhjeve që kaluan. Grupi (në dukje deri tani më i madh dhe më i fuqishëm) që ka për kapo Rama-Ruçin, pretendon se Partia Socialiste ka fituar, opozita ka funksionuar mirë, edhe fushata ka qenë e suksesshme, por "nuk dolën llogaritë" për të marrë pushtetin. Grupi i dytë me kapo dy Benat (Blushi e Malaj), (në dukje deri tani minorancë) me këmbë në tokë thonë se zgjedhjet janë humbur, prandaj s‘ke si kërkon pushtet. Këtë nuk e diskutojnë më. Por ata shkojnë më tej. Kërkojnë të analizojnë mënyrën sesi ka funksionuar opozita dhe jo vetëm në periudhën parazgjedhore. Kanë të drejtë, por s‘duhet të harrojë askush se të jesh tani pas zgjedhjeve në opozitë me kryetarin e opozitës, nuk do të thotë se ke qenë në të njëjtin pozicion edhe në ato katër vite. Pra janë bashkëfajtorë të padiskutueshëm, por të paktën kërkojnë analizë. Dhe analiza është proces zbërthimi. Nëse do t‘i zbërthesh ato katër vite të mënyrës së të bërit opozitë, atëherë këtë zbërthim bëje fije-fije. Gjithsesi, edhe pse "analiza" është vendosur të bëhet në kongresin e ardhshëm, ku do zgjidhet kryetari (nuk e besoj se do ndodhë), Blushi, Malaj, po veçanërisht analistët e mediave, pak a shumë e kanë bërë. Dihet tashmë se ku janë fokusuar: loja e përkryer politike që bëri Berisha duke u marrë votat për ndryshimet kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe veçanërisht llogaritë malinje për të eliminuar "të vegjlit" dhe veçanërisht LSI-në nëpërmjet Sistemit Zgjedhor apo përçarja e së majtës. Natyrisht të gjitha këto janë tejet madhore. Por ka edhe mjaft keqbërje opozite të cilat kanë të bëjnë jo me politikë të madhe, por me çështjet që trajton normalisht "Përtej Lajmit", të cilat do të trajtohen rubrikë pas rubrike. Por sot le të merremi vetëm me atë se sa kishte dhe sa ka në dorë opozita për të bërë për "çështjen Xhindi".

Vrasja e Xhindit
Pardje, socialistin e vjetër dhe deputetin e respektuar të Fierit, Fatmir Xhindi, e rivranë ish-kolegët e tij. E rivranë sepse nën vlagën e eliminimit të njëri-tjetrit, ata që kishin organizuar kongresin, këtë eveniment më të madhin të Partisë Socialiste, e harruan. Ja një raportim për këtë skandal nga shtypi i përditshëm: "Delegatja e Fierit në Kongres, Donika Prifti, i kërkoi e revoltuar kongresit 1 minutë zi për deputetin socialist të vrarë, Fatmir Xhindi. Pasi ka kërkuar fjalën, ajo i ka kërkuar llogari kongresit dhe drejtuesit të seancës për harresën e përkujtimit për deputetin socialist që nuk jeton më. Por pas saj, ka qenë radha e Shpëtim Camit, anëtar i komisionit të mandateve të kongresit, që ka paraqitur raportin e këtij komisioni. Sipas tij, kongresi ka humbur 5 delegatë që nga kongresi i 2007-ës, mes të tjerëve dhe deputetin Fatmir Xhindi dhe aktoren e njohur Violeta Manushi. Për këto humbje, Cami ka kërkuar mbajtjen e një minute heshtje në nderim të kujtimit të tyre"... Kështu, "me dhunën" e delegates Prifti dhe diplomacinë e Camit, pardje në Pallatin e Kongreseve 1500 delegatë të Partisë Socialiste u ngritën më këmbë dhe mbajtën një minutë heshtje për një nga më protagonistët e kësaj force, veçanërisht në Qarkun e Fierit, deputetin Fatmir Xhindi. Një prej delegatëve, kushdo qoftë ai, nga Fieri apo nga Shkodra, kryeqyteti apo organizata më e vogël në ndonjë fshat të thellë, i kishte "zënë" vendin dhe i kishte "marrë" votën të ndjerit Xhindi. Por edhe një prej atyre 66 delegatëve, të cilët janë tashmë edhe deputetë të kësaj legjislature, rishtar në parti apo edhe i vjetër, do t‘i "zërë" vendin Xhindit në Parlamentin e ri. Por këto janë dy "shërbimet" më të vogla që deputeti u bëri me ndërprerjen makabre që ju bë jetës së tij. Ndërkohë që një gjë është e sigurt: ai atje në varr, bashkëshortja me tre jetimët dhe familjarët e tjerë kërkojnë një emër të vrasësit, një motiv për aktin ekstrem dhe në fund drejtësi. Ndokush mund të pyesë: E çfarë lidhje ka Kongresi dhe aq më shumë harresa e formalitetit të mbajtjes zi me gjetjen e autorëve që vranë deputetin dhe vënien e atyre përpara drejtësisë?!
Pas 2 ditësh mbushen plot 4 muaj nga ekzekutimi i Xhindit pranë derës së shtëpisë së tij në Roskovec. Të nesërmen e asaj ngjarjeje, Kryeministri Berisha e ka cilësuar vrasjen akt barbar dhe ka premtuar zbardhje urgjente të saj nga organet e drejtësisë. Po të nesërmen, kreu i opozitës, Edi Rama, me gati gjithë kryesinë e PS-së dhe shumë deputetë "zbarkoi" në Roskovec. Aty, në një takim me krerët e policisë dhe të prokurorisë kërkoi hetim të shpejtë dhe të paanshëm të ngjarjes. Një grup gjigand hetimi u ngrit, por kaluan muajt dhe ja ku jemi: me një ngjarje ku është vrarë një deputet i opozitës, gati të harruar. Opozita e mefshtë, nuk reagon. Ministri i Brendshëm 2 muaj më parë deklaroi se e kishin zbardhur ngjarjen. Por ca ditë më vonë nuk rezultoi ashtu. Opozita prapë nuk reagon. Janë bërë më shumë se 120 ditë nga vrasja, por s‘ka pista të sakta, s‘ka autorë, s‘ka asgjë. Opozita hesht. Mediat raportojnë përditë lajme sesi familjarët e Xhindit trokasin zyrave të prokurorisë për të kërkuar të vërtetën. Por përgjigjja është: ende asgjë. Gjithsesi, kohët e fundit prokuroria arriti t‘u shtojë disa pistave në mjegull që ka, edhe atë të një vrasjeje politike. Opozita nuk flet. Nuk kërkon komision parlamentar për zvarritjen e hetimeve. Përse është opozita, kur nuk është as për deputetin e saj të vrarë?! Për qytetarin e thjeshtë të cilit ia kërkon votën vetëm duke i rrëfyer ndryshime në "kohën e ardhme të pakryer"?! Për kë e ngre zërin kur s‘ka fuqi të shkundë shtetin dhe drejtësinë për një prej eksponentëve të saj?!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›