Emigrantët, fluks kthimesh pas pushimeve
Vazhdon fluksi i ikjes së emigrantëve nga pikat kufitare me vendet fqinje, Greqi dhe Itali. Të paktën 7000 emigrantë kanë kaluar në 24 orët e fundit nga pika kufitare e Kapshticës, me të paktën 1800 mjete, si dhe dhjetëra autobusë. Ngarkesa në kufi dhe mbipopullimi ka ardhur si rrjedhojë e dyndjes së emigrantëve në të njëjtën ditë pas përfundimit të pushimeve verore në vend, por pavarësisht nga regjistrimet e shumta në dalje të shtetasve shqiptarë nuk janë krijuar radhë të gjata dhe bllokime në procedurat e kalimit. Mjetet kanë qëndruar brenda territorit doganor për kryerjen e procedurave të kalimit, ndërsa janë disiplinuar në dy radhë paralele për të mos krijuar probleme pranë sporteleve. Sipas të dhënave statistikore, gjatë ditës së shtunë kanë dalë nga territori vendas 3400 shtetas me 780 mjete, ndërkohë që të paktën 4000 të tjerë kanë mbyllur procedurat deri në mesditën e së dielës. Nga pala shqiptare dhe ajo greke është punuar me kapacitet të plotë për të përballuar këtë dyndje të menjëhershme në kufi, duke shmangur kështu vonesat dhe radhët e gjata. Sipas të dhënave nga vendkalimi kufitar i Kapshticës, pjesa më e madhe e emigrantëve tashmë janë kthyer në vendet ku punojnë dhe jetojnë, dhe vetëm një numër i vogël i tyre pritet të kalojë gjatë ditës së hënë. Ndërkohë që në Portin e Vlorës, fluksi i kthimit të emigrantëve drejt Italisë ka qenë më i qetë. Nga pala shqiptare janë lënë të hapura 8 sportele për të mos krijuar radhë dhe vonesa në përpunimin e dokumentacioneve.
Sipas statistikave rezulton se dje janë larguar 1400 pasagjerë me tre tragetet e linjës Vlorë-Brindisi, 300 automjete si dhe 50 shtetas të huaj.
Sipas statistikave rezulton se dje janë larguar 1400 pasagjerë me tre tragetet e linjës Vlorë-Brindisi, 300 automjete si dhe 50 shtetas të huaj.