Grabisin lokalin e fshatit, dy në pranga
Dy të rinj nga qyteti i Beratit kanë rënë në pranga të policisë, pasi akuzohen për vjedhjen e një lokali në një fshat të këtij rrethi. Burime të Komisariatit të policisë së Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 21:30 të mbrëmjes të së shtunës, është bërë arrestimi i Fjordi Simonit, 18 vjeç, dhe Shkëlzen Kondit, 20 vjeç, të dy lindur dhe banues në lagjen "Donika Kastrioti" të qytetit. Sipas hetimeve të policisë, këta të fundit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me anë të thyerjes lokalin e F.Qato, në fshatin Shëm Tod, Komuna Vërtop në këtë rreth. Në momentin e ndalimit, të rinjve ju bllokuan në cilësinë e provës materiale një sasi paketash cigare, të grabitura në lokalin e fshatit.