Çmimet e çelikut janë dyfishuar në dy vjet
Çmimet e hekurit dhe çelikut mësohet se janë dyfishuar në tregun ndërkombëtar, kryesisht si pasojë e faktit se prodhuesit e kanë kaluar te konsumatorët rritjen e kostos së xeherorit dhe të energjisë së përdorur për ta prodhuar. Çmimi i shifrave të çelikut, të cilat përdoren për armaturë në rrugë e ndërtime banesash, arritën së fundmi në 900 dollarë për tonë në tregun ndërkombëtar, me rritje dyfish në krahasim me vitin 2006.
Rritja e çmimeve të metaleve si dhe të xeheroreve nga nxirren metalet pritet t'i kushtojë Shqipërisë disa dhjetëra milionë euro vetëm si pasojë e rritjes së kostos së lëndëve të para. Instituti i Statistikave njoftoi se vitin e kaluar, për sektorin e ndërtimit në Shqipëri, kostoja e materialeve të ndërtimeve u rrit me 3.1, ndërsa kostoja e materialeve elektrike u rrit me 4.9%.
Shqipëria është gjithashtu vend përfitues nga rritja e çmimeve të metaleve. Eksportet e metaleve gjatë vitit të kaluar arritën në 160 milionë dollarë, udhëhequr nga eksportet e kromit, bakrit dhe hekurit. Megjithatë, përfitimi ekonomik nga këto eksporte është shumë i dyshimtë, për shkak se vetëm një pjesë shumë e vogël e xhiros mbetet në Shqipëri në formë pagash dhe tatim-fitimi, ndërkohë që pjesa më e madhe transferohet jashtë Shqipërisë.