Të dënuarit ndërpresin revoltën në pritje të ministrit
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me t'u kthyer nga Bullgaria do të vizitojë burgun e trazuar të Burrelit. Kështu ka premtuar ministri i Drejtësisë, me anën e një përfaqësuesit të tij tek të dënuarit e rebeluar. Sipasburimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në takimin që ka pasur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baçi, dhe një përfaqësues i dërguar nga Ministria e Drejtësisë, u është premtuar të dënuarve se ministri Aliebaj do t'ivizitojë këtë fundjavë, pas kthimit të tij nga Bullgaria ku ndodhet për një vizitë pune. Ndërkohë edhe të dënuarit e sigurisë së lartë që ndodhen në seksionin B të këtij institucioni kanë rënë dakord që protesta e tyre të ndërpritet deri në ardhjen e ministrit Alibeaj për dëgjimin e pretendimeve të tyre. Ndërsa në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se burgu i Burrelit është në rikonstruksion të pjesshëm, rikonstruksion që ka krijuar disa vështirësi, përsa i përket ndryshimit të qelive të disa të burgosurve gjë që i ka detyruar ata të rebelohen. "Në burgun e Burrelit ndodhen 236 të dënuar dhe 42 të paraburgosur. Nga këta, 176 të dënuar janë të sigurisë së lartë dhe duam të sqarojmë se në burgun e Burrelit ka qenë një incident i krijuar nga të burgosur të dënuar për krime të rënda, të cilët nuk kanë nguruar të godasin edhe punonjësit e policisë",-thuhet në njoftim. Shkaku i këtyre incidenteve ka ardhur si pasojë e zbatimit të Rregullores së Brendshme të Burgjeve, ku i dënuari Hajri Losha dhe Guri Dumani kanë refuzuar zbatimin e rregullores dhe nënshtrimit të apelit. "Për këta, është marrë masa e izolimit dhe ka filluar procedimi penal kundër tyre",-thuhet nga zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.