Shtypi në Shqipëri, nën presion politik e ekonomik
Shtypi ne Shqipëri, vazhdon te jete pjesërisht i lire dhe nen presion politik e ekonomik. Keshtu e karakterizon Organizata Freedom House shtypin ne vendin tone ne raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë. Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese. Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në raport në vendin e 105. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit, duke i akuzuar ato - pa i përmendur me emër - se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar. Freedom House thotë se liria e informimit është e garantuar në kushtetutë, por zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias. Gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore. Gazetarët përdornin autocensurën për të mbështetur interesat politike ose ekonomike të punëdhënësve të tyre. OSBE-ja njoftoi se radio-televizionet e zbutën njëanshmërinë e tyre të zakonshme dhe bënë një pasqyrim të ekuilibruar para zgjedhjeve lokale të shkurtit megjithëse partitë e vogla nuk u pasqyruan sa ç'duhej dhe mbulimi u përqendrua tek personalitetet dhe jo tek politikat. Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit, ose motive të tjera. Radio-televizioni publik është përgjithësisht në favor të autoriteteve dhe personeli i tyre ndryshon sa herë që ndryshon qeveria. Organet e medias së shkruar shpesh kanë lidhje të hapura me partitë politike ose grupet e interesave dhe praktikisht asnjëra prej tyre nuk janë në gjendje të mbijetojnë vetëm nga reklamat dhe abonimet. Televizionet kryesore kanë më shumë fitime, por ato ndjejnë presionin e kompanive kryesore që japin reklamat. Tregu i radiove mbizotërohet nga muzika dhe emisionet zbavitëse. Vetëm katër nga 40 stacionet japin lajme origjinale. Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar auto-censurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike. Një gjë e tillë prek veçanërisht internetin, të cilin e përdor rregullisht afërsisht vetëm 13 për qind e popullsisë, thuhet në raport.